Truri i grave plaket më ngadalë dhe, për të njëjtën moshë, është të paktën tre vjet më i ri se truri i burrave, sipas një studimi në Universitetin e Uashingtonit dhe i botuar në revistën e Akademisë Kombëtare të Shkencave të Shteteve të Bashkuara, PNAS.
Rezultati është bazuar në vrojtimin e trurit të 205 personave dhe mund të shpjegojë pse gratë kanë tendencë të jenë më pak të prekshme sesa meshkujt ndaj sëmundjeve neurodegjenerative që lidhen me moshën.
Karburantet kryesore të trurit janë sheqernat dhe dihet mënyra se si kjo ndryshon me kalimin e viteve, ndërsa shumë pak dihet për dallimet metabolike midis meshkujve dhe femrave.
“Po fillojmë të kuptojmë se faktorë të ndryshëm që kanë të bëjnë me seksin ndikojnë në plakjen e trurit dhe në cenueshmërinë ndaj sëmundjeve neurodegjenerative”, theksoi koordinatori i studimit, Manu Goyal.
“Duke analizuar metabolizmin e trurit mund të kuptojmë disa nga dallimet që shfaqen midis burrave dhe grave, teksa bëhemi më të vjetër”, theksoi Goyal.
Dallimi u gjet në të gjitha moshat, duke filluar nga mosha 20 vjeç.
“Nuk është truri i njerëzve që rritet më shpejt. Në fakt, burrat arrijnë moshën madhore rreth tre vjet pas grave dhe kjo diferencë vazhdon gjatë gjithë jetës”, shpjegon Goyal.
“Ne ende nuk e dimë kuptimin e këtij zbulimi, por mendoj se kjo mund të jetë arsyeja pse gratë janë më pak të ndjeshme ndaj plakjes, sepse truri i tyre është në të vërtetë më i ri”, përfundoi Goyal./atsh