E konsideruar si një prodhim lider i Myzeqesë, kultivimi i luleshtrydhes përbën një histori suksesi për fermerët e kësaj zone, që eksportohet në shumë vende të Ballkanit dhe Europës.
Një shembull suksesi në kultivimin e luleshtrydhes solli sot deputetja e Qarkut Fier, Antoneta Dhima.
Baftjar Bani është një nga fermerët e fshatit Zharrëz, i cili këtë sezon ka kultivuar dhe ka filluar shitjen në treg të luleshtrydheve. Me shumë sakrifica, përkushtim dhe pasion, ai ka mundur të ngrejë biznesin e prodhimit të luleshtrydheve në këtë zonë.
“E kam kënaqësi të promovoj punën e çdo fermeri dhe detyrim të përcjell në institucione çdo shqetësim për rrugët në parcela, kanalet kulluese e vaditëse si dhe mbështetjen e projekteve për zhvillimin e bujqësisë”, u shpreh deputetja Dhima.
Fermerët shprehen se, mbështetja me subvencione dhe rikthimi i fermerëve nga emigracioni për të punuar tokat e tyre, ka çuar në një prodhim të bollshëm bujqësor që jo vetëm plotëson nevojat e tregut nga veriu ne jug të vendit, por po rrit eksportet të ardhurat në këto familje dhe madje ka sjellë rënie të çmimeve në qendrat e grumbullimit./atsh