Loading...

Cakaj në Bukuresht: Shqipëria faktor stabiliteti në rajon

Në vizitën e parë pas delegimit të kompetencave për ushtrimin e detyrës së ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate, i cili u zhvillua në Bukuresht më 31 janar – 1 shkurt, në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Diskutimet u përqendruan në çështjet kryesore të axhendës europiane dhe ndërkombëtare, sfidat e përbashkëta dhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Ministri në detyrë Cakaj, pasi vlerësoi mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, vuri në dukje përpjekjet dhe arritjet e deritanishme në këtë proces, duke shprehur angazhimin e vendosur për forcimin e tyre, si edhe pritshmëritë tona që bisedimet e anëtarësimit të jenë njohje e arritjeve dhe mekanizëm për orientimin e tyre të ardhshëm.

Ai evidentoi gjithashtu rolin proaktiv e konstruktiv të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, duke shtuar se në aspektin global, vendi ynë dëshmon me vendosmëri orientimin e tij strategjik euroatlantik dhe linjëzim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. ​/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com