Nëse disa ditë më parë u bë e ditur se SHBA i kishin hequr përfundimisht vizën duke e shpallur bashkë me familjen person “non grata”, tashmë nuk e quajnë më as faktor përcaktues në PD.
Berisha ishte mësuar se, pavarësisht faktit që nuk ishte as kryetar apo drejtues i forumeve e strukturave drejtuese të PD, në momente krize politike, ambasadorët takoheshin me të.
Shqiptarët kanë në memorjen e tyre momentet kur pavarësisht përplasjeve, ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu e Romana Vlahutin, pas çdo debati dhe tensioni mes mazhorancës e opozitës, bënin takim dhe me Berishën.
Berisha ka qënë dhe është njeriu që vendos në PD dhe i dikton të gjitha lëvizjet, taktikat dhe strategjitë politike kreut zyrtar të kësaj parttie, Lulzim Bashës. Pra është kryetari de facto i PD.
Por këto ditë është parë një fenomen ndryshe, në sjelljen e ambasadorëve të SHBA dhe të BE ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Jo se nuk e dinë se Berisha është njeriu që po e çon PD dhe Lulzim Bashën drejt një spiraleje dhune, duke diktuar strategjinë e tij, por ambasadori i BE në Tiranë Luigi Saoreca, si dhe ambasadorja gjermane, kanë preferuar të takohen me liderin zyrtar të PD.
Mesazhin e BE Soreca e ka përcjellë në mënyrë direkte tek Lulzim Basha, duke e takuar në zyrën e tij dhe duke bërë thirrje që protesta të jetë paqësore.
Kjo tregon se ka filluar praktikisht “izolimi” ndërkombëtar i Sali Berishës dhe zhbërja e tij si një faktor relevant në PD, një lajm i mirë ky për PD dhe opozitën në përgjithësi./Pamfleti