Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot në Vlorë takime me qytetarët, duke u bërë thirrje që të bashkohen me protestën e opozitës më 16 shkurt në Tiranë.
Gjithashtu, gjatë takimeve në Vlorë, Basha prezantoi alternativën e programin të ri ekonomik të PD,sipas tij, për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
“ Me çlirimin që do i japim ekonomisë nga kjo oligarki ju do paguani vetëm 0.5 % të xhiros vjetore dhe asnjë tarifë tjetër takse shtesë”, tha Basha duke shtuar se “qeveria ka marrë 2 miliardë euro taksa nga shqiptarët, por nuk i ka kthyer në investime apo politika, por ua ka ndarë 4-5 vetave, oligarkëve”.
“T’i japim fund ekonomisë monopoliste që i japin mundësi vetëm 4-5 njerëzve. Në radhë të dytë mbështetja për biznesmenët e vegjël. Biznesi nën 140 mijë lekë të vjetra të nxirret nga skema e TVSH”, tha ai.
Gjatë takimeve me qytetarët, Basha tha se qeveria e rilindjes nuk mendon për njerëzit.
“Ndaj pjesëmarrja juaj në 16 shkurt është e rëndësishme, që vullneti i qytetarëve të triumfojë dhe ju të merrni në dorë fatet tuaja e të vendit tuaj”, deklaroi ndër të tjera Kreu i PD-së. /atsh