Shqipëria, ashtu si SHBA, si BE dhe Gjermania e mbështesin tërësisht dialogun mes shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës me vendin fqinj Serbinë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “ky është një mekanizëm i ideuar dhe drejtuar nga lidershipi i zonjës Mogherini, e cila ka krijuar këtë instrument kaq të rëndësishëm që sjell paqe dhe stabilitet në rajon, por na çon edhe në rrugën pa kthim të një njohje të Kosovës nga Serbia, por edhe nga Rusia”.
Duke replikuar me ish-kryeministrin Sali Berisha, Balla tha: “Sali, ti e mbylle kohën tënde me shumë pika të zeza, por një prej tyre është sabotimi që i bërë pavarësisë energjetike të Kosovës, duke bllokuar projektin e linjës së transmisionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Projektin e KFW-së ti Sali e bllokove. U desh të vinim ne që të zhbllokohej ky projekt. Kur Ibrahim Rugova bënte rezistencën, ti e furnizoje Sllobodan Millosheviçin me naftë. Kur serbët kryenin genocid në Bosnje ti furnizoje me tuba përmes Liqenit të Shkodrës makinerinë ushtarake serbe. Kur e gjithë klasa politike shqiptare edhe me Ilir Metën sigurisht në krye mbështeste marrëveshjen e Rambujesë, i vetmi politikan shqiptar që ishte kundër asaj marrëveshjeje ishe ti. Edhe pasi forcat aleate të NATO-s hynë në Kosovë vetëm Sali Berishës nuk i lejohej të shkonte në Kosovë”.
Balla gjithashtu u shpreh se, “në takimin me Presidentin e Bundestagut gjerman Volfang Shchauble u konfirmua mbështetje tërësore e hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në Bundestagun gjerman ka një shumicë bindëse në favor të hapjes së negociatave”.
Balla u shpreh se kontributi i vetëm i opozitës për negociatat duhet të jetë votimi i reformës zgjedhore.
“Meqë citove Michael Roth, ke marrë një mesazh shumë të qartë nga PPE, duhet të vish të votosh reformën zgjedhore, e cila është kryer me asistencën gjermane. Drafti që kemi sot është drafti i të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR”, tha Balla.
“Ne duhet të votojmë së bashku reformën zgjedhore. Sa për andrallën tuaj që, nëse bllokojmë reformën zgjedhore, nuk hapen negociatat, Këshilli i 28 qershorit e ka thënë shumë qartë, kushti është që mazhoranca të depozitojë një draft për reformën zgjedhore dhe ne e kemi bërë këtë”.
Basha: Në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë
Ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot në Kuvend se në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë.
“Ne e kemi fare të qartë se pse e rrëzuat vettingun në politikë. Por duhet ta kini fare të qartë se as Shqipëria dhe as Evropa nuk do t’ju lejonë ta vazhdoni më tej këtë maskaradë. Disa prej jush i keni marrë mesazhet në Berlin këtë javë. Në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë. Nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë në qershor dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është krye hajduti që është ulur në atë karrige me votën e krimit”, tha Basha./atsh