Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve për karta ID dhe për tu ardhur në ndihmë qytetarëve, ka urdhëruar hapjen e gjithë zyrave të aplikimit për Tiranën dhe disa prej qyteteve kryesore të vendit, gjatë ditës së shtunë, datë 26 janar.
Në kuadër të masave që janë marrë për përballimin e fluksit të qytetarëve, ditën e shtunë, përveç të gjitha zyrave të njësive administrative të Tiranës, do të jenë funksionale zyrat e aplikimit në qytetet: Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Lushnje, Korçë, Shkodër dhe Vlorë.
Ministria e Brendshme u bën apel qytetarëve të verifikojnë afatet e vlefshmërisë së kartës ID, në mënyrë që të aplikojnë më herët pa krijuar flukse dhe radhë pritjeje. /atsh