Loading...

Thaçi : Tani është momenti për paqe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën më të lexuar zvicerane ka folur për qëndrimin e tij në Zvicër, për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, për rolin e diasporës në forcimin ekonomisë dhe për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Christian Dorer, kryeredaktorit të këtij mediumi prestigjioz, presidenti Thaçi ka theksuar se më kurrë nuk do të ketë luftë ndërmjet shqiptarëve edhe serbeve nëse arrihet një marrëveshjeje e paqes, e cila mund të arrihet në muajt e ardhshëm.

“Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes, merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë”, ka paralajmëruar presidenti Thaçi.

Lidhur me formimin e ushtrisë së Kosovës, Thaçi thekson se “ky ishte vendim i natyrshëm i një vendi të pavarur. Falë NATO-s, Kosova është një nga vendet më të sigurta në Europë. Ne duam të bëhemi anëtar i NATO-s dhe kjo është e mundur vetëm me ushtrinë tonë. Ne duam t’i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike me standardet e NATO-s. Në të vërtetë, nuk jemi shumë herët, por shumë vonë me të.

Përsa i përket reagimeve të Serbisë, presidenti shprehet se “reagimi i Serbisë ishte i motivuar politikisht dhe armiqësor, i nxituar dhe pa argumente. Vendimin për krijimin e ushtrisë e merr Kosova, jo Serbia. Mbi të gjitha, ne nuk pranojmë këshilla nga vendi më anti-NATO në rajon, siç është Serbia”.

Lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve, Thaçi deklaron se “si dy shtete jemi shumë të fokusuara në negociatat për një paqe përfundimtare. Procesi udhëhiqet nga BE, i mbështetur nga SHBA dhe, me sa duket, do të pranohet edhe nga Rusia. Në fund, Kosova do të jetë anëtare e OKB-së dhe plotësisht e njohur nga të gjitha vendet, përfshirë Serbinë. Përvoja ime dy dekadash me negociata tregon se kur Kosova është në krahë me SHBA-në dhe BE-në, duhet të guxojë të hyjë në procese ndonjëherë sfiduese, por të sigurta në sukses”.

I pyetur se çfarë e bënë atë optimist, presidenti kosovar nënvizon se “paqja është një domosdoshmëri. Ne punojmë shumë në këtë drejtim. Dëshiroj një marrëveshje të balancuar për të dyja palët. Paqja nuk ka alternativë! Optimizmi im vjen nga dëshira e njerëzve për paqe dhe zhvillim, e jo konflikte e regres”.

Ai deklaron i prerë se “kurrë më nuk do të ketë luftë mes shqiptarëve edhe serbeve – pikërisht falë kësaj marrëveshjeje të paqes, që mund të arrihet në muajt e ardhshëm. Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes, merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë”.

Çështja më e diskutueshme është shkëmbimi i territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e për këtë Thaçi deklaron se “marrëveshjet e paqes synojnë balancimin e interesave të palëve. Kosova ka pasur sukses, sepse gjithmonë ka bërë kompromise me bashkësinë ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë do të rregullonte të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës: personat e pagjetur, refugjatët, bashkëpunimin ekonomik, Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe, mbi të gjitha, kufirin mes dy vendeve. Marrëveshja do të jetë përfundimtare”.

I pyetur se kur do të arrihet marrëveshja e paqes, presidenti Thaçi shprehet se “rruga drejt paqes patjetër do të jetë shumë më e shkurtër se periudha e gjatë e konflikteve të së kaluarës. 13,000 kosovarë u vranë nga shteti serb, 20,000 gra u përdhunuan dhe më shumë se një milion njerëz janë detyruar të shpërngulën. Fatkeqësisht, asnjë nga këto ngjarje nuk janë trajtuar në ndonjë gjykatë deri më sot. Megjithatë, ne nuk mund të jetojmë në të kaluarën, por duhet të shohim përpara. Ne kemi nevojë për vendime, në mënyrë që mos të përsëritet historia. Me paqe do të fitojnë të gjithë, me luftë do të humbasin të gjithë. Njerëzit nuk duan më luftë, por paqe, drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie”./kosovapress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com