Reshjet e dendura të dëborës që ranë gjatë natës duke u gdhirë e enjtja, nuk krijuan asnjë shqetësim në qarkullimin e automjeteve në segmentin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.
Mjetet borëpastruse të subjektit koncensionar, që mirëmban këtë rrugë, punuan paralelisht me rënien e reshjeve, duke parandaluar bllokimin e kësaj rruge. Ky proces është shoqëruar edhe me hedhjen e kripës në shtratin e rrugës, çka krijon parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes.
Gjatë gjithë këtyre orëve, qarkullimi i automjeteve në të dy kahet ka vijuar normalisht, ndërkohë që mjete dhe punonjës të subjektit që mirëmban këtë aks, janë vazhdimisht në terren. Kjo, për të ndërhyrë në situata të mundshme të përkeqësimit të kushteve të motit.
Prej mëngjesit, në këtë zonë janë ndërprerë reshjet e dëborës, por nuk përjashtohet mundësia që ato të rishfaqen gjatë orëve në vazhdim, veçanërisht në mbrëmje dhe gjatë natës.
Reshjet e sotme të dëborës në këtë zonë, pasojnë ato të disa ditëve më parë. Ky sezon dimëror vlerësohet ndër më të ashprit në raport me intensitetin dhe sasinë e reshjeve të dëborës, në të paktën 20 vitet e fundit.
Por edhe pse në kushtet e reshjeve intensive të dëborës, janë optimalizuar dhe përmirësuar ndjeshëm parametrat e ndërhyrjes në kohë dhe me cilësi për të garantuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.
Ndërkohë, prania e shtresave të borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë, e ka bërë më tërheqës këtë mjedis pyjor malor dhe ka shtuar ndjeshëm numrin e qytetarëve dhe turistëve të huaj që po e frekuentojnë gjatë këtyre ditëve./atsh