Në puntatën e fundit të “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e zonjës Sano, 85-vjeç, e cila kishte ardhur për t’i dërguar një mesazh të bijës, me të cilën nuk iste prej vitesh.
sanoo-677×405
Një ditë, në shtëpinë e saj troket një grua me një fëmijë, e cila i thotë se kishte fëmijë me burrin e saj. Në vijim Sanoja dhe bashkëshorti u ndanë, ku për vajzat u kujdes i ati, ndërsa për djemtë Sanoja. Pas një kohe të gjatë, ajo u martua sërish, megjithëse vazhdonte të takonte burrin e parë.
Sipas saj, vajza Mira ishte xheloze për martesën e dytë të nënës dhe kjo supozohet të jetë arsyeja pse ato nuk kanë kontakt me njëra-tjetrën. Pasi historia u bë publike dje (19 janar 2019), nxitur nga reagimi i ashpër nëpër rrjete sociale dhe jo vetëm, vajza e Mirës komunikoi me Anabel përmes një letre të hapur drejtuar Arbana Osmanit dhe emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, të cilën do ta lexoni në vijim.
Letra e hapur e vajzës së Mira Veizit:
“Dje në mbrëmje, duke ndenjur nën shoqërinë e familjarëve të mi, më vjen një telefonatë ku më thuhet se dikush po keqpërdorte emrin e mamasë sime në një televizion. Ngrihem e habitur, nervoze për të gjetur kanalin e për çfarë? Për t’u perballur me të kaluarën e mamasë sime. Diçka po flitej në emisionin që “bashkon zemrat e shqiptarëve” ku mesazhi kryesor është “mos qesh, harro hallin tënd dhe qaj me hallin e tjetrit”.
Moderatorja e emisionit, zonja Arbana, kishte të ftuar për të rrëfyer historinë e saj një zonjë, e cila biologjikisht është gjyshja ime.
Gjyshja ime është plot 84 vjeç, ne e njohim shumë pak, pasi gjyshërit e mi u ndanë kur mamaja ime ishte 11 vjeç. Histori e rrallë për vitet ’60, gjyshja ime ishte 29 vjeç, nënë e katër fëmijëve, në një moment dobësie gabon dhe braktis fëmijët. S’dua të paragjykoj aspak, por vendimi i saj ndikoi në jetën e mamasë sime. Gjyshi u martua sërish, mamaja, tezja dhe dajat e mi u rritën me njerk dhe kështu kaluan vitet, por plaga ngeli në të njëjtin vend.
Plagë që m’u desh ta shikoja vet tek sytë e mamasë sime, dje në mbrëmje, kur e ëma biologjike kishte dalë në emision për të thënë një përrallë dhe për të trilluar një histori me shpresën se dikujt do t’i vijë keq për të. Ndoshta dhe unë po ta shihja, do të kisha qarë.
Nuk dua të jap as versione e as detaje të kësaj historie, sepse nuk është e drejta ime dhe as qëllimi i kësaj letre. Çdo njeri merr nga Zoti atë që meriton para se të largohet nga kjo jetë. Por dua të të drejtohem pak ty Arbana, ose stafit tuaj.
Jam shumë kurioze të di, përpara se të shfaqni një histori a interesoheni për vërtetësinë e saj? A bëni kërkime për personin që i drejtohet një letër apo personin që tregon historinë? A e di ti që rreth 50% e njerëzve mbi moshën 80 vjeç vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit (humbja e kujtesës) dhe nuk mund t’i marrësh për bazë as 80% të fjalëve qe flasin? A e di ti çfarë tronditje ke sjellë dje tek familjarët e mi vetëm e vetëm për përfitimet e një televizioni dhe për pak audiencë? Kush të jep të drejtë të baltosësh emrin e mamasë sime? Ajo ka ndërtuar një emër dhe një reputacion me shumë djersë dhe mund, ndërsa ju keni cenuar figurën dhe keni prishur imazhin e saj. Kush mban përgjegjësi për këtë? Ti zonja Arbana ke zgjedhur të jesh person publik, ndërsa unë jo. Ku e gjen të drejtën të më cenosh privatësinë duke më shfaqur në emision tënd me zë dhe me figurë, pa më kërkuar leje? Vetëm se ke pushtetin dhe aksesin e një televizioni, mendon se të jep të drejtën të ndërhysh në jetën e dikujt?
Ti zonjë apo stafi yt, pas asnjë lloj të drejte legjitime, më keni prishur qetësinë familjare dhe shpirtërore, duke më bërë të përballem me lloj lloj komentesh negative, fyese dhe denigruese deri me mallkime brenda kundrejt mamasë sime. Kush mban përgjegjësi për këtë?
Sot, unë dhe të afërmit e mi, u zgjuam të trazuar për t’i dhënë shpjegime të gjithë të njohurve, ndoshta dhe dikujt që nuk duam, se për çfarë ka bërë një gjyshe e jona para 50 vitesh.
Faleminderit Arbana, ti na bëre të lumtur!”