“Ne shpresojmë që ky vit të kurorëzojë një proces që duhet të ishte bërë vitin e shkuar dhe bashkë me zgjedhjet europiane të mbarojë edhe kushtëzimi i çeljes së negociatave të Shqipërisë”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në një takim me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, Kryeministri Rama u shpreh se “patjetër që çelja e negociatave është një sfidë e jona”.
“Ne morëm ftesën pa kushte nga BE dhe pastaj morëm një shtyrje të procesit, por me mirëkuptimin që të fillojë procesi ‘screening’, njëlloj si të kishim hapur ‘de facto’ negociatat. Ne i kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë detyrat e shtëpisë, pasi ky është një proces që nuk mbaron. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, – tha Rama.
Por, sipas tij, “jemi po kaq të qartë edhe për faktin se disa vende të mëdha i kanë të gjitha instrumentet t’i thonë gjërat si duan dhe t’i ndryshojnë fjalët si të jetë nevoja”.
“Dhe duke qenë të mëdha, dhe duke pasur shumë më tepër fuqi për t’i komunikuar gjërat, patjetër që nuk është problemi më i madh se çfarë pasojash krijon kjo te një vend si i yni, apo si Kosova, që i është premtuar liberalizimi i vizave dhe fjala nuk është mbajtur. Apo si Maqedonia që ndërroi emrin dhe ende sot është në të njëjtën pozitë si ne. Unë shpresoj shumë që burimet tona të mëdha të frymëzimit, vendet tuaja të BE-së, të jenë burime shtyse dhe energjie pozitive që ne të çelim negociatat dhe të shkojmë më tutje”, – tha Rama. /atsh