Loading...

Programin IPARD II, AZHBR apel fermerëve për aplikim

Në programin IPARD II, që mbështet sektorin e bujqësisë, fermerët, agropërpunuesit dhe bizneset mund të aplikojnë me projekte startup-i, në të tre masat që financon IPARD II.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se, mund të aplikohet deri më 31 janar 2019, me startups për sa kohë përmbushet kriteret dhe kërkesat e programit.

Tre masa që mbështet programi

Në masën e parë, ku bën pjesë mbështetja e investimeve në fermë janë parashikuar të shkojnë 31.4 milionë euro. “Kjo masë do të fokusohet në sektorët që kërkojnë investime të konsiderueshme për arritjen e standardeve të BE-së, si sektorët primarë të qumështit, mishit, fruta -perimeve dhe vreshtarisë. Masa e investimit fillon nga 10 mijë euro dhe përfundon në 500 mijë euro dhe mbështetja shkon deri në 60% të këtij investimi, por në zonat malore mund të shkojë dhe në 70% të investimeve në fermë. Kjo pjesë mbulohet me grant nga ky program”, sqaron Ministria e Bujqësisë.

Në masën e dytë janë investimet në përpunim, në industrinë e qumështit, mishit, sektorit të fruta –perimeve, apo të verërave. Fondi i parashikuar për këtë masë kap vlerën 26 milionë e 500 mijë euro. Për aplikuesit që do të përmbushin kriteret financimi mund të arrijë deri në 50% të investimit, por nuk mund të kalojë më shumë se 2 milionë euro. Kjo sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i shërben edhe mbështetjes së ekonomive të tjera, jobujqësore që zhvillohen në fshat.

Masa e tretë ka një fond prej 11 milionë eurosh dhe synon diversifikimin e fermës dhe zhvillimit të biznesit. Kjo masë synon mbështetjen për aktivet afatgjata që nevojiten për diversifikimin dhe rritjen e të ardhurave të fermave. Masa e katërt për të cilën Shqipëria nuk ka marrë ende miratimin parashikon dhënien e asistencës teknike dhe fondi i dedikuar për këtë pjesë është 2.4 milionë euro.

Bashkimi Europian, përmes programit IPARD II, mbështet Shqipërinë me 71 milionë euro dhe qeveria shqiptare ofron 25% të kësaj shume, duke e çuar fondin total në 94 milionë euro të dedikuara për bujqësinë dhe zhvillimin rural, që do të shpërndahen në mënyrë graduale në disa vite.

Ministria e Bujqësisë bëri me dje se ndërhyrja përmes IPARD është menduar në dy faza, duke detajuar edhe karakteristiken që ka secila nga tre masat e këtij programi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com