Loading...

Parku i Viroit peizazh mahnitës nën magjinë e dëborës

Flokët e dëborës i kanë dhuruar një pamje mahnitëse parkut të Viroit, 3 km larg Gjirokastrës.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, ky Monument Natyre, i mbuluar nga petku i dëborës të magjeps me pamjen e tij.

Pjesë e guidave turistike të këtij qyteti ky Monument Natyre frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas e të huaj.

Moti i ftohtë me temperatura që zbresin nën zero gradë në pjesën më të madhe të vendit, ka risjellë këtë fillimvit reshjet e borës në zonën veriore, juglindore dhe jugore të vendit.

Në këto fotografi shfaqen peizazhet mbresëlënëse të këtij parku, që gjatë sezonit turistik të verës mbledh qytetarë të shumtë gjirokastritë për të kaluar disa orë larg monotonisë së përditshme.

Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës edhe gjatë stinës së dimrit këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com