Kuvendi nisi Seancën e Jashtëzakonshme me kërkesën e kryetarit të grupit Parlamentar të PD-së Edmond Spaho dhe kryetarit të grupit të LSI-së Petrit Vasili me kërkesën për emërimin dhe shkarkimin e ministrave me debat.
Në fjalën e tij, Spaho tha se opozita ka dërguar kërkesën që kjo seancë e jashtëzakonshme të zhvillohet me debat, madje ka paraqitur edhe listën e grupeve parlamentare.
Po ashtu dhe kryetari i grupit të LSI-së Petrit Vasali u shpreh se pasi ka komunikuar me stafin e Kryetarit të Kuvendit, ka depozituar listën e deputetëve që kërkojnë fjalën, bazuar sipas tij, në rregulloren e Kuvendit.
Nga ana tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se opozita duhet të respektojë rregulloren.
“Kur citohet këtu në emër të rregullores, duhet të citoni një nen të saj”, tha Balla.
Ndërkaq, Kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh sot në Kuvend, në përgjigje të kërkesës së opozitës të cilët kërkuan debat për dekretet e Metës për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj, se kjo nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën.
Ruçi tha se nga viti 1989 nuk ka ndodhur asnjëherë që dekretet e presidentit të shoqërohen me debate.
Sipas tij, rregullorja parashikon vetëm votimin për emërimin dhe shkarkimin e ministrave. “Kërkova precedentët e kaluar të seancave plenare. Nga 1989 deri në 2018, 37 seanca parlamentare për emërime dhe shkarkime ministrash, pra me 160 dekrete. Kjo që kërkoni ju nuk ka ndodhur kurrë. Nuk parashikohet në asnjë nen të rregullores”, u shpreh Ruçi./atsh