Loading...

Nxitje e investimeve të Katarit në projektet strategjike në Shqipëri

Qeveria shqiptare po punon për nxitjen e investimeve katariane në projektet strategjike për vendin dhe së shpejti do t’i paraqesë Shtetit të Katarit një plan të ri projektesh në energjetikë, miniera, turizëm, infrastrukturë, transport ajror etj.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka pritur ambasadorin e Shtetit të Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad al Marri.

Në takim, Ruçi ritheksoi “vullnetin e Shqipërisë për fuqizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë shumë të mira, por ato mund të intensifikohen sepse të dy qeveritë kanë shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Këtij qëllimi do t’u shërbejnë edhe vizitat e pritshme të udhëheqësve të lartë të të dy vendeve, vizita e afërt Zëvëndëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shtetit të Katarit në Tiranë dhe vizita e pritshme e Kryeministrit Edi Rama në Katar, në prill të këtij viti”.

Ambasadori al Marri vuri në dukje se Qeveria e Shtetit të Katarit është mjaft e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ambasada në Tiranë po punon për nxitjen e këtij bashkëpunimi, sidomos për shtimin e investimeve të Katarit në Shqipëri, lehtësimin e lëvizjes së qytëtarëve të të dy vendeve si edhe bashkëpunimin në aspekte të tjera.

Ambasadori al Marri i përcolli Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi ftesën për të marrë pjesë në në Sesionin e 140-të të Asamblesë Parlamentare të Unionit Ndërparlamentar (AP IPU), që do të zhvillohet në Doha, Katar më 6-10 prill 2019./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com