Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile kanë bërë të ditur sot situatën në të cilën ndodhet vendi ynë nga reshjet e dëborës.
Në njoftimin për mediet, Ministria e Mbrojtjes sqaron se në Qarkun e Shkodrës, reshjet e dëborës kanë vështirësuar kalueshmërinë e përdoruesve të mjeteve, por veçanërisht të mjeteve që kanë punuar për hapjen e akseve rrugore dhe segmenteve rrugore.
Situata e akseve në vend:
Qarku Shkodër
Qarku Shkodër ka pasur reshje dëbore, kryesisht në zonat malore në njësinë administrative Shalë dhe Shosh, bashkia Shkodër, si dhe në bashkinë Pukë dhe Fushë-Arrëz, ku më intensive reshjet kanë qenë në bashkinë Fushë-Arrëz dhe janë shoqëruar me erëra të forta.
Të gjitha akset rrugore nacionale, si dhe akset rrugore rurale që lidhin qendrat e bashkive me njësitë administrative, kanë qenë të kalueshme. Reshjet e dëborës kanë vështirësuar kalueshmërinë e përdoruesve të mjeteve, por veçanërisht të mjeteve që kanë punuar për hapjen e akseve rrugore dhe segmenteve rrugore.
Bashkia Shkodër:
Aksi rrugor Prekal-Shosh-Shalë-Theth është i hapur por kalimi i mjeteve kryhet me vështirësi. Trashësia e dëborës është rreth 80 cm dhe po punohet me fadroma që kanë mbajtur hapur këtë aks rrugor që është kaluar kryesisht nga mjetet e rënda.
Aksi rrugor rural Bogë-Theth është ende i bllokuar në Qafë Thore, ku ka mbi rreth 1 metër dëborë.
Bashkia Malësi e Madhe:
Aksi rrugor rural Gropat e Selcës-Vermosh është ende i kalueshëm me zinxhirë.
Bashkia Vau Dejës:
Në këtë bashki nuk ka probleme.
Bashkia Pukë:
Kanë rifilluar reshjet e dëborës, por situata në përgjithësi në të gjithë territorin e bashkisë ka qenë normale. Në këtë bashki kanë punuar në terren rreth 50 punonjës të saj.
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, Reparti i MZSH, etj., kanë pasur në gatishmëri 2 mjete për ndërhyrje, 1 mjet “Landrover” borëpastrues dhe 1 mjet fadromë, por duke pasur parasysh vazhdimin e reshjeve, kryesisht ditën e djeshme dhe që priten reshje të dendura bore në ditët në vijim, bashkia kërkon nga DPEC mbështetjen me dërgimin e 1 fadrome.
Bashkia Fushë-Arrëz:
Situata është vështirësuar për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe erës së fortë që kanë filluar, duke përsëritur vështirësitë e kalueshmerisë së mjeteve, kryesisht në segmentet që lidhin njësitë administrative me bashkinë dhe me fshatrat, veçanërisht atyre në njësinë administrative Iballë.
Akset rrugore nacionale kanë qenë të gjitha të kalueshme.
Bashkia Fushë-Arrëz ka 3 mjete të bashkisë, konkretisht 1 borëpastruese dhe 2 fadroma. Aktualisht po vazhdon të punohet në segmentet e rrugëve rurale në fshatrat e njësisë administrative Iballë.
Nuk ka pasur probleme për furnizimin me energji elektrike dhe ujin e pijshëm, si dhe për zhvillimin e procesit mësimor.
Qarku Dibër
I gjithë qarku ka pasur mot me reshje shiu me intensitet të dobët, lokalisht shtrëngata shiu, si dhe reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar, shoqëruar me erë të fortë lokale. Mjegull/mjegullinë për shkak të reshjeve.
Akset rrugore nacionale kanë qenë të kalueshme pa probleme, si dhe në segmentet e akseve rrugore nacionale Peshkopi-Kala e Dodës dhe Ura e Çerenecit-Steblevë kalueshmëria e mjeteve ka qenë pa probleme pasi kanë punuar firmat kontraktore me 6 mjete dhe forca për mbajtjen hapur të tyre.
Akset rrugore rurale nga qendrat e njësive administrative për në akset rrugore nacionale kanë qenë të kalueshme pa probleme.
Nuk ka pasur probleme me furnizimin me energjinë elektrike në të gjithë qarkun.
Nuk ka pasur probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë qarkun, përjashtuar 2-3 fshatra të njësisë administrative Zall-Dardhë që nuk kanë pasur ujë të pijshëm gjatë ditës së djeshme për shkak të dëmtimit të tubacionit të ujit të pijshëm në një gjatësi prej rreth 200 ml në fshatin Lashkizë, njësia administrative Zall-Dardhë, bashkia Dibër, nga rrëshqitja masive e tokës. Bashkia dhe firma kanë punuar për eliminimin e defektit.
Qarku Kukës
I gjithë qarku ka pasur mot me reshje shiu me intensitet të dobët, pjesërisht shtrëngatë shiu, si dhe reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët dhe mjegullinë.
Rrugët nacionale:
Akset rrugore nacionale kanë qenë të kalueshme pa zinxhirë në të gjithë qarkun.
Firmat kontraktore kanë punuar për pastrim dëbore, largim gurësh dhe hapje kanalesh për kullim e tumbina.
Nga firmat kontraktore janë angazhuar 12 borëpastruese, 6 fadroma, 4 kamionçina, si dhe 60 punonjës.
Rrugët rurale:
Bashkia Kukës:
Njësia administrative Arrën vazhdon të jetë e bllokuar.
Nga firmat kontraktore janë angazhuar 2 fadroma dhe 6 punonjës.
Bashkia Tropojë:
Janë të lidhura të gjitha Qendrat e njësive administrative me fshatrat e tyre. Të bllokuar janë fshatrat e njësisë administrative Lekbibaj.
Nga firmat kontraktore janë angazhuar 2 fadroma dhe 10 punonjës.
Bashkia Has:
Të gjithë akset rrugore janë të qarkullueshme.
Nga firmat kontraktore janë angazhuar 4 fadroma dhe 16 punonjës.
Forca dhe mjete të angazhuara nga firmat kontraktore në shkallë qarku janë:
Gjithsej, 26 mjete: 12 borëpastruese, 10 fadroma dhe 4 kamjonçina.
Forca: 76 punonjës.
Furnizimi me energji elektrike ka qenë normal në të gjithë qarkun, përjashtuar fshatrat Berishë, Leniq, Radogosh dhe Qorraj, njësia administrative Bytyç.
Furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë normal në të gjithë qarkun.
Qarku Korçë
Ka pasur reshje dëbore të dendura në zonat malore të qarkut, ku trashësia e saj ka arritur deri 10-15 cm në Dardhë, Qafë Qarri dhe Voskopojë. Firmat kontraktore kanë pastruar akset rrugore nga bora dhe kanë hedhur kripë duke normalizuar situatën e krijuar nga bora e re. Qarkullimi i mjeteve është kryer me zinxhirë në akset rrugore të këtyre zonave, përjashtuar aksin rrugor Voskop-Voskopojë që është kaluar pa zinxhirë pas ndërhyrjes së firmës kontraktore.
Akset rrugore nacionale kanë qenë të gjitha të hapura dhe qarkullimi i mjeteve është kryer normalisht, përjashtuar aksin rrugor Boboshticë-Dardhë, nga km 9 deri në km 12, si dhe aksin rrugor Qafë Qarri-Ersekë, ku qarkullimi është kryer me zinxhirë. Firmat kontraktore kanë punuar me forca dhe mjete për pastrimin e akseve rrugore nacionale dhe kanë hedhur kripë përgjatë tyre.
Gjatë natës ka rënë borë 5-10 cm në zonat malore të qarkut Korçë. Mëngjesin e sotëm aksi rrugor Qafë Qarri-Ersekë kalohet pjesërisht me zinxhirë.
Akset rrugore rurale deri në qendër të njësive administrative kanë qenë të hapura dhe qarkullimi është kryer normalisht, përjashtuar akset Ura e Floqit-Vithkuq, Voskopojë- Lekas, si dhe rrugët rurale të fshatrave Arrëz, Vidohovë, Lubonjë, Roshanj dhe Rehovë, ku kalimi është kryer me zinxhirë.
Rrugë rurale të pahapura për në disa fshatra pas rënies së dëborës së re janë:
Fshati Panarit në njësinë administrative Vithkuq.
Fshati Pepellash në njësinë administrative Mollas.
Fshati Osnat, Sterkanj, Nicë dhe Dërdushë, në njësinë administrative Dardhas.
Fshati Marjan dhe Desmirë në njësinë administrative Gorë.
Furnizim me energji elektrike nuk kanë pasur:
Zona e Lekasit, si dhe 5 fshatrat e njësisë administrative Moglicë.
Fshati Senisht në njësinë administrative Gorë.
Fshati Llëngë në njësinë administrative Trebinjë.
Fshati Vidohovë, Arrëz dhe Qytezë, në njësinë administrative Miras.
Fshati Kaduc, Kabash, Shijan dhe Selenica e Pishës, në bashkinë Kolonjë.
OSHEE ka ngritur grupet e punës që kanë punuar dhe po punojnë për eliminimin e defekteve në zonat me probleme.
Qarku Gjirokastër
Akset rrugore nacionale kanë qenë të gjitha të hapura dhe qarkullimi i mjeteve është kryer normalisht.
Akset rrugore rurale deri në qendër të njësive administrative kanë qenë të hapura dhe qarkullimi është kryer normalisht, përjashtuar aksin rrugor rural për në njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë, si dhe rrugët rurale të njësisë administrative Zagorie, bashkia Libohovë, që vazhdojnë të kalohen me zinxhirë pasi ka prezencë të dëborës.
Rrugë rurale fshatrash të bllokuara nuk ka, përjashtuar rrugën e fshatit Golem, njësia administrative Picar, bashkia Gjirokastër, ku trashësi e dëborës është rreth 80 cm. Bashkia Gjirokastër ka punuar me 1 mjet dhe ka hapur një pjesë të rrugës por mjeti nuk ka mundur të hapë më tej këtë rrugë. Për këtë arsye bashkia Gjirokastër i ka kërkuar 1 mjet me zinxhirë ose fadromë me goma Prefektit të Qarkut Gjirokastër, i cili i dërgoi kërkesë DPEC dhe nga ana e QKOEC ju dërgua dje kërkesa me e-mail QBO të SHPFA. SHPFA dërgoi për në Prefekturën Gjirokastër 1 traktor me zinxhirë për të hapur rrugën e fshatit Golem të bllokuar nga dëbora.
Në bashkitë e tjera të qarkut situata ka qenë pa probleme.
Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm ka qenë normalisht në të gjithë qarkun.
Procesi mësimor është zhvilluar normalisht në të gjithë qarkun, përjashtuar njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë, ku mësimi do të fillojë me vonesë për shkak të qarkullimit të mjeteve me vështirësi prej dëborës në aksin rrugor./atsh