Loading...

Kushte më lehtësuese për ripajisjen me pasaportë të shqiptarëve jashtë shtetit

Komisioni për Sigurinë Kombëtare u mblodh sot dhe miratoi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”.

Në fjalën e saj, kryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj, theksoi se ky është një ndryshim që adresohet vetëm me ligj, përderisa rastet e pavlefshmërisë së pasaportës, janë përcaktuar vetëm me ligj edhe ndryshimet duhet të reflektohen në ligj.

E ftuar në komision, për të shpjeguar ndryshimet e propozuara nga Ministria e Brendshme, ishte zëvendësministrja e kësaj ministrie, Rovena Voda.

Gjatë fjalës së saj në komision, Voda theksoi faktin se propozimet për ndryshim të ligjit, vijnë si nevojë e lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Sipas saj, ligji ka qenë i kufizuar vetëm në rastin e pajisjes me pasaportë biometrike, kurse në rastin e ripajisjes, përkufizohej me një fjali të vetme, e cila adresonte të njëjtat procedura, si në rastin e pajisjes.

“Kjo nevojë lind edhe për shkak të rritjes së fluksit të qytetarëve për ripajisje me pasaportë, sepse në fund të 2019 shumë pasaportave, iu vjen fundi i vlefshmërisë, kështu që nëpërmjet këtij ndryshimi përcaktohet qartë kur shtetasi ka të drejtë të ripajiset me pasaportë biometrike. Ripajisja me pasaportë duhet të ketë disa kushte më lehtësuese, sesa pajisja. Për këtë arsye janë hapur disa zyra të vogla dhe në vazhdim po punojmë për hapjen e zyrave më të mëdha në të gjithë vendin”, tha Voda.

Relatorja Elena Xhina, theksoi në fjalën e saj, se ky ndryshim në ligj, është një ndryshim i vogël, por që sjell risi në kuptimin e faktit që tashmë qytetarët mund të nxjerrin pasaportat 6 muaj para afatit të skadimit.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët, drejtuar zëvendësministres, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com