Loading...

Fillon monitorimi 24 orë për 270 të dënuar me kamera në burgje

Sistemi “41 bis” hyn në fuqi nesër dhe fillon të zbatohet me asistencën e Prokurorisë Antimafie dhe me partnerët italianë, që na kanë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme për dizenjimin dhe aplikimin e këtij regjimi të posaçëm.

Kështu deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pas përurimit të sallës së re operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, së bashku me Prokurorin e Antimafias Italiane Federico Cafiero De Raho.

Në këtë sallë është instaluar sistemi i kamerave që do të monitorojë 24 orë në ditë burgjet në vend.

“Mbështetja jo vetëm e palës italiane, por edhe e partnerëve të tjerë si Ambasada britanike dhe Këshillit të Europës, për Ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë shqiptare për masat e sigurisë në sistemin penitenciar është një kundërpërgjigje dhe reagim për luftën kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar në veçanti. Me një përllogaritje të përafërt janë rreth 270 subjekte që pritet t’i nënshtrohen regjimit 41 BIS. Është menduar të ketë ambiente të posaçme në institucione që kanë seksione të sigurisë së lartë”, tha Gjonaj.

Ministrja Gjonaj u shpreh se “me ngritjen e kësaj salle operacionale për monitorimin 24 orë në të gjitha sistemet penitenciare do të rritet siguria në burgje, lufta kundër korrupsionit si dhe përgjegjësia e punonjësve të policive në burgje dhe stafit që i administron ato. Por, nga ana tjetër, edhe për të eliminuar rastet kur subjektet e krimit të organizuar kanë kontakte me botën jashtë dhe që mund të vazhdojnë aktivitetin kriminal”.

“Me dy sistemet, aplikimin e sistemit “41 bis” dhe me sallën operacionale 24-orëshe, e cila do të jetë e lidhur edhe me operacionin ‘Forca e Ligjit’ dhe me shërbimin e kontrollit të brendshëm të burgjeve, do të arrijmë të minimizojmë të gjitha rastet kur krimi i organizuar vazhdon aktivitetin e tij edhe në sistemin penitenciar”, nënvizoi Gjonaj.

Prokurori i Antimafias Italiane, Federico Cafiero De Raho theksoi se “kohët e fundit ka pasur shumëfishim të hetimeve nga ana shqiptare dhe italiane. Skuadrat hetimore të përbashkëta po punojnë për të luftuar sa më mirë organizatat kriminale shqiptare, që kryejnë veprimtarinë në Shqipëri dhe Itali”.

Sipas tij, rezultatet shihen, sepse edhe arrestimet kanë qenë të shumta gjatë vitit të fundit.
De Raho shtoi se të shumta janë edhe projektet e fundit mes autoriteteve gjyqësore italiane dhe shqiptare, gjë që më parë nuk ekzistonte.

“Ka zhvillim të madh nga ana shqiptare të mjeteve të ndryshme për të luftuar sa më mirë krimin e organizuar”, tha De Raho./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com