Vazhdojnë ditët me mot ekstrem në të gjithë Europën, që vetëm gjatë një jave shkaktoi vdekjen e 13 personave, veçanërisht në Zvicër, Austri dhe Gjermani.
Qindra persona kanë mbetur të bllokuar në rajonet alpine për shkak të rrezikut të orteqeve, ndërkohë që erëra të forta kanë provokuar anulimin e shumë fluturimeve.
Në Norvegji, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, janë pezulluar kërkimet për gjetjen e katër skiatorëve, tre finlandezë dhe një suedez, ndoshta të mbuluar nga një ortek.
Në Rumani temperaturat kanë arritur në minus 24 gradë Celsius dhe dje u gjet edhe trupi i një të moshuari, pasi bashkëshortja e tij kishte denoncuar zhdukjen, në zonën e Karpateve.
Në Austri, qindra persona janë bllokuar nëpër shtëpi, mes rrugëve të bllokuara dhe ndëprerjes së energjisë elektrike. Shkollat janë mbyllur gjithaashtu.
Në Holandë, transporti është pothuajse plotësisht i bllokuar. Kompania ajrore KLM ka anuluar 159 fluturime nga dhe drejt Europës.
Ngricat nuk kanë kursyer as jugun e Europës. Shkollat në Athinë dhe në periferi të saj janë mbyllur për shkak të dëborës, që ka prekur edhe ishujt./atsh