Loading...

106-vjetori i Policisë, Lleshaj: Të përgatitur që t’i përgjigjemi krimit, jo politikës

I pranishëm në 106-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj tha se kryefjalë e policisë është modernizimi i saj për t’ju përgjigjur me devotshmëri sfidave të reja. Lleshaj gjithashtu u shpreh mirënjohës për të gjithë punonjësit e policisë ndër vite, teksa nënvizoi mirënjohjen për efektivët e rënë në krye të detyrës.

Ministri i Punëve të Brendshme në fjalën e tij, theksoi se Policia e Shtetit është e përgatitur që t’i përgjigjet krimit, por jo politikës, e cila duhet të jetë aleate e saj.

“Përgjatë një shekulli, forcat e rendit dhe të sigurisë publike, të organizuara kryesisht si xhandarmëri në dekadat e para, apo si Polici më pas, kanë përballuar një ndër detyrat më të ndërlikuara dhe të vështira në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kanë krijuar kushtet për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, në një mjedis të brendshëm dhe të jashtëm jashtëzakonisht të vështirë. Ky përvjetor është rasti më i mirë për të shprehur mirënjohjen më të thellë, për të gjithë ata mijëra burra dhe gra që përgjatë 106 viteve kanë shërbyer me nder në radhët e Policisë së Shtetit. Por nderimi më i madh u përket natyrisht atyre që, gjatë këtyre viteve, kanë dhënë jetën e tyre në përmbushje të misionit fisnik”, – tha Lleshaj.

Ministri tha se, zhvillimi i gjithanshëm i vendit vjen edhe nga siguria që ofron Policia e atij vendi.

“Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë kushtet bazë të sigurisë, për të mundësuar zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe të shoqërisë tonë, të cilat janë në një fazë të rëndësishme të historisë, e cila, po të duhej të sintetizohej me një fjalë të vetme, do të mund të quhej integrim. Integrim rajonal, integrim europian. Dhe integrimi është një proces që lidhet ngushtë me lirinë, lirinë e lëvizjes, lirinë e organizimit, lirinë e tregtisë dhe shumë e shumë liri të tjera, për të cilat Policia e Shtetit ka misionin e madh të ofrimit të garancisë bazë, që është Siguria. Sa më shumë zgjerohen hapësirat e lirisë, aq më e madhe dhe më e ndërlikuar bëhet edhe përgjegjësia e Policisë për të garantuar që liria të funksionojë, përherë e më mirë”, – tha ministri Lleshaj.

Sipas tij, shtimi eksponencial i flukseve të lëvizjes së udhëtarëve që hyjnë apo dalin nga Shqipëria, shtimi po aq i shpejtë i shkëmbimeve tregtare, revolucioni teknologjik, si dhe lindja dhe shpërthimi i një realiteti të ri, siç është realitetit virtual, dhe shumë tendenca e fenomene të reja, kanë krijuar hapësira të pashmangshme që edhe e keqja, krimi, ekstremizmi apo terrorizmi të mund të shfrytëzojnë për qëllime të mbrapshta liritë e krijuara.

“Dhe pikërisht, në mes të kësaj fushe tensioni antagonist, mes lirisë dhe të keqes kriminale, qëndron Policia e Shtetit me misionin për të garantuar të parën dhe për të shtypur të dytën”, – theksoi Lleshaj.

Kreu i ministrisë së Brendshme tha se përgjigje për misionin e vështirë që ka policia është modernizimi i Policisë.

“Plotësimi i këtij misioni, që sa vjen e vështirësohet, kërkon që Policia e Shtetit të bëhet përherë e më e fortë, që për mua do të thotë përherë e më moderne. Ajo duhet të ketë njerëz përherë e më moderne, procedura dhe standarde moderne, arsimim dhe kualifikim modern, pajisje, mjete dhe teknologji moderne”, – tha Lleshaj.

Ministri foli dhe për lëvizjen e lirë me Kosovën.

“Përpjekjet për integrim do të ndjekin një qasje të dyfishtë: Integrim rajonal dhe integrim europian. Në funksion të integrimit rajonal, do të përshpejtojmë projektin për krijimin e një zone të lëvizjes së lirë, sipas standardeve ‘Schengen’ mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila shpresojmë të zgjerohet shpejt edhe me vende të tjera të rajonit”, tha Lleshaj, i cili shtoi se politika duhet të jetë aleate e Policisë.

“Për shkak të natyrës së ndërlikuar të misionit që kryen, jo rrallë herë, Policia e Shtetit është bërë shënjestër e sulmeve të ndryshme. Sigurisht, ajo do të jetë në shënjestër të sulmeve të krimit, për të cilat është e përgatitur dhe e gatshme të përballet dhe të fitojë. Por ka edhe një kategori tjetër sulmesh, kryesisht politike, për të cilat Policia e Shtetit nuk është dhe as nuk ka ndërmend të përgatitet për mbrojtje. Policia duhet të jetë e rreshtuar në front përballë me krimin, ndërsa krahët dhe shpinën e saj duhet dhe do ta mbrojë politika e përgjegjshme, Qeveria, institucionet dhe mbi të gjitha qytetarët, aleatët e saj të përhershëm”, – përfundoi Lleshaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com