“Meraviglioso”, ashtu si edhe titulli ishte koncerti simfonik për violinë dhe orkestër, mbrëmjen e së shtunës në teatrin “Petro Marko” në qytetin e Vlorës.
Koncerti u mbështet nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë mbështetur nga bizneset italiane që operojnë në qytetin bregdetar në bashkëpunim me bashkinë Vlorë.
Orkestra e ftuar “Terra del Sole” së bashku me “Virtuozët e Vlorës” nën drejtimin e Maestro Enrico Tricarico dhe solistët vokalistë, së bashku dhuruan një mbrëmje “Gala” në pragë të festave të fundvitit.
Salla si përherë mbushur plot me dashamirës shoqëroi me duartrokitje dhe me koreografi kryeveprat e muzikës italiane dhe botërore duke krijuar një atmosferë festash plot emocion. Caruso, Azzurro, Perdere L’amore, Con te partiro, La vita è bella, etj u shoqëruan me ritëm nga publiku vlonjat.
Në këtë mbrëmje u dorëzuan dy çmimet “ Vela Latina” 2018 dhënë nga Bashkia e Galipolit ( Itali ) për Kryetarin e Bashkisë Dritan Leli dhe kompozitorin Aulon Naci.
Çmimet u dhanë në eventin e Javës së Kulturës së Detit mbajtur në Galipoli nga bashkia e Galipolit dhe Regione Puglia, Itali.