Në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë vendosur ditët e fundit 9 tabela informuese në zona me intensitet të lartë turistik.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur se “vazhdojnë investimet, në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, bazuar në Planin e Menaxhimit, me qëllim rritjen e vizibilitetit dhe informimin në brendësi të zonave të ndryshme të parkut”.
“9 tabela informuese në zona me intensitet të lartë turistik përgjatë parkut do të informojnë më mirë turistët për vlerat dhe aktivitetet e lejuara”, thekson ADZM Vlorë.
Sipas ADZM, Vlorë këto investime bëhen falë mbështetjes së projektit të UNDP Albania me financim të Agjencisë Italiane për Zhvillim, (AICS) dega Tiranë.
I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.
Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror, ishte destinacioni më mbresëlënës për 45 000 turistë vendas dhe të huaj./atsh