Kryeministri i Kosovës kërkoi sot që të përmbyllë Rrugën e Kombit.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive mbajtur sot në Pejë, Haradinaj tha se “qytetarët e Kosovës, janë të gatshëm të paguajnë tarifën 5 euro për rrugën, por duhet që ajo të përfundojë, pasi nuk mund të zgjatet pambarimisht”.
“Është folur shumë për taksën në rrugë 5 euro që e paguajmë ne, por unë kam një shqetësim më të madh dhe i kam kërkuar Kryeministrit Rama, mundësinë që të përmbyllet, të kryhet rruga. Më kujtohet kur e ka nisur Kryeministri Nano që shpërthente ata gurët me ushtri, më pas Kryeministri Majko, pastaj erdhi Kryeministri Berisha. E ka sjellë në gjendjen ku është sot, por nuk është kryer rruga. I takon Kryeministri Rama të përmbyllë Rrugën e Kombit, nuk bën me e lënë ashtu në pakufi”, – tha Haradinaj.
Ai shtoi se “është kërkesë legjitime e qytetarëve të Kosovës, ne jemi në gjendje me e pagu aq sa duhet me e pagu, por e kërkojmë që rruga të jetë e kryer. Kostoja rritet jo vetëm me ato që paguajmë, por edhe kur nuk është e kryer rruga”.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama shprehu angazhimin për të përfunduar rrugën, e cila sipas tij, është me rreziqe, një rrugë që pa kontributin e të gjithëve nuk mundet të përfundojë.
Ndërsa në përgjigje të atyre që në Kosovë ankohen për tarifën, Rama tha se “patriotizmi në luftë është të jesh gati të japësh dhe jetën”.
“Patriotizmi në paqe është të mos diskutosh kontributet nga xhepi për qëllimet dhe të mirën e përbashkët. Besoj që në këtë aspekt, çdokush që vjen në Shqipëri për turizëm është i gatshëm që të kontribuojë që ajo rrugë, që është arteria kryesore që lidh të gjithë shqiptarët, të përfundojë një orë e më parë dhe të mirëmbahet ashtu siç duhet. Është një zonë malore. Është një zonë ku ka probleme të përvitshme me dëborën, në një aks ku, siç e thashë, ka plot pjesë të rrezikshme, janë mbi 30 vatra rreziku. E në këtë aspekt, edhe njëherë e përsëris, në kohë lufte të jesh patriot, do të thotë të jesh gati të japësh dhe jetën. Në kohë paqeje, patriotizëm është të paguash taksat e të paguash kontributet. Është e lehtë të thuash “Shqipëri, Shqipëri”. Është e lehtë të bërtasësh kur bën gol kombëtarja. Është edhe më e lehtë të djegësh flamurin e komshiut, por patriotizmi është kur paguan detyrimet secili, ashtu siç i takon. Objektivi është të përfundojmë rrugën”, – deklaroi shefi i qeverisë shqiptare. /atsh