Me buxhetin e vitit 2019 pagat e edukatorëve do të pësojnë një rritje me 9,1% krahasuar me vitin 2018.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2019 dhe lajmin e mirë për edukatorët, duke theksuar se nga kjo reformë bashkitë do të kenë më shumë fonde për këtë shërbim.
“Për vitin 2019 fondet për pagat e edukatoreve do të rriten 9,1% në krahasim me vitin 2018. Në të njëjtën kohë do të përmirësohet edhe sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive. Në ndryshim me sistemin e mëparshëm, fondet ndaheshin sipas numrit të edukatoreve, konform praktikave më të mira ndërkombëtare, financimi i këtij funksioni në vitin 2019 do të bazohet kryesisht mbi numrin e fëmijëve deri në 6 vjeç, si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime. Nga kjo reformë në buxhetin e vitit 2019 nuk do të ketë asnjë bashki që humbet fonde, përkundrazi, pjesa më e madhe e bashkive do të ketë më shumë fonde për këtë shërbim”, – u shpreh Ahmetaj.
Ministri u ndal edhe në shifra duke treguar edhe numrin e edukatorëve që do të punësohen, të cilët do të shpërndahen në 32 bashki të vendit.
“Përmes kësaj reforme do të punësohen 438 edukator më shumë sesa në vitin 2018 të cilët do të shkojnë në 32 bashki, të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, duke marrë parasysh raportin fëmijë/edukator dhe jo e kundërta. Kjo reformë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e numrit të kujdestarisë nga 26 në 18 fëmijë për edukator dhe madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukator, duke krijuar kështu kushte për një sistem më efikas”, theksoi Ahmetaj./atsh