Ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve, Damian Gjiknuri i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë ka folur për projektin e Unazës së Madhe, e cila përfshin shembjen e shumë objekteve në zonën e Astirit.
Gjiknuri tha se për të bërë vlerësimin real të objekteve, shteti do të vlerësojë të gjitha dokumentat që banorët disponojnë dhe se shumë shpejt do të publikohet një listë shpronësimesh nga institucioni që ai drejton. Ministri gjatë fjalës së tij, theksoi se zyrat e ARRSH janë të hapura për të gjithë qytetarët që kanë pretendime.
“Unaza e Tiranës është “Aorta” e gjithë Shqipërisë. Qeveria e ka thënë që personat që janë pa dokumentacion do trajtohen me 3 vjet qera. Do dali VKM për 180 objekte. Ka pasur nje spekulim politik, njerezit kanë vajtur dhe piketuar. Nuk ka një proces prishjeje pa dal një VKM-ja për shpronësimet. Nuk ka fillu asnjë procedure prishje, s’do ketë prishje pa dalë vendimi i qeverise për shpronësimet.
Me vërtetim pronësie, do bëhet pastrimi nga objektet pa leje. Të palegalizurit do trajtohen me bonus qiraja tre vjet. Kantieri po nis me vende ku nuk ka prishje dhe janë pronë shtetërore. Për çdo objekt do ketë vleresim. Ka stisje politike për një kauze. As VKM s’ka dalë. Te gjithë banorët që kanë pretendime kanë zyrat hapura.
Tendenca për të penguar punimet është një proces i pisët politik. Të bashkëpunojnë me ARRSH dhr Bashkinë. Çdo objekt do të ketë një vlerësimin sipas ligjit, do të ketë një dëmshpërblim real financiar. Nuk mund të bëjë shteti qoftë një transaksion pa vlera reale. Procesi nuk ka filluar dhe banorët një pjesë e tyre që kanë dokumentacion kanë shkuar pranë institucioneve. Pyetja që bëjnë dhe m’u dha rasti që ta jap këtë sqarim pa dalë lista e ministrisë e shpronësimeve nuk do të ketë akoma një dëmshpërblim real“, u shpreh Gjiknuri.