Bulevardi “Ismail Qemali” dhe Muzeu i Pavarësisë do të pësojnë një transformim rrënjësor duke filluar me restaurimet, si dhe me lirimin e hapësirave rreth tyre.
Kryeministri Edi Rama në takimin që zhvilloi me banorët e qarkut të Vlorës, të cilëve u prezantoi edhe buxhetin ambicioz të infrastrukturës për vitin 2019, u shpreh se këto 2 vepra do të pësojnë ndryshimet e duhura dhe për realizimin e tyre po punohet sëbashku me bashkinë e këtij qyteti.
“Paralelisht me përfundimin e problemit historik të elektrifikimit në Orikum, do punojmë për pjesën e vijës bregdetare të Orikumit dhe do të vazhdojmë paralelisht me bulevardin “Ismali Qemali” dhe me sheshin e Skelës, që ka mbetur në mes dhe do e çlirojmë nga gjithë ajo mori kioskash Muzeun e Pavarësisë. I vetmi vend në botë ku Shtëpia e Pavarësisë është e rrethuar me kioska, po bëjmë projekt me bashkinë dhe do krijojmë një pikë të re të zhvillimit urban të qytetit. Sot ne vizituam edhe kantierin e qendrës historike, e cila ka filluar të dalë në dritë dhe do jetë pikë e re referimi për këtë qytet”, – u shpreh Kryeministri. /atsh