“Modernizimi i Policisë së Shteti dhe përafrimi i saj me standarde europiane, do të sjellë më shumë siguri për qytetarë dhe do jetë një garanci për të luftuar krimin e organizuar dhe çdo lloj forme që shfaqe ai”, tha sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në prezantimin e flotës së re të Policisë së Shtetit, së cilës i shtohen 34 mjeteve të reja.
Në këtë event mori pjesë edhe Kryeministri Rama, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij, Lleshaj tha se “këto pak ditë të para më kanë mjaftuar për të vizituar pothuajse të gjitha qarqet e vendit dhe për të parë nga afër gjendjen dhe nevojat e strukturave të Policisë së Shtetit në qendër dhe atyre në bazë. Futja në inventarin e Policisë së Shtetit të një numri të konsiderueshëm prej 134 auto-veturash dhe 30 motoçikletash është vetëm një paketë e radhës në kuadër të një programi të gjerë modernizmi të Qeverisë shqiptare për Policinë e Shtetit, ku përfshihen sisteme të shumta, të cilat do të komplementojnë, mbështesin dhe lehtësojnë punën e strukturave policore në përmbushje të misionit”.
“Në raport me numrin e popullsisë, vendi ynë ka sot një trupë policore të vogël në numër, krahasuar edhe me vende të tjera europiane. Në këto kushte, modernizimi, rritja e kapaciteteve, pajisja me mjete dhe teknologji bashkëkohore, trajnimi i vazhdueshëm, si dhe rritja e kapaciteteve profesionale, janë mënyra e duhur për të kultivuar një forcë policore të aftë të përballojë sfidat e kriminalitetit, në të gjitha format komplekse dhe të sofistikuara të shfaqjes së tij në ditët e sotme”, tha ai.
Po ashtu ai shtoi se “objektivat seriozë për një fazë të re në luftën kundër krimit të organizuar, nevojat përherë në rritje për prani të shtuar dhe kontroll më efektiv në territorin e vendit, sfidat që lidhen me valët e emigracionit drejt Evropës dhe shumë të tjera, mund të përballohen me sukses vetëm nga një polici moderne, një polici me njerëz të mirë arsimuar dhe të mirë pajisur”.
“Kjo faze të re modernizmi që nis sot, do të ketë një zhvillim të mëtejshëm.Së shpejti, presim që flota e automjeteve të zgjerohet në mënyrë të dukshme, që të zgjerohen kapacitetet e monitorimit mobil të trafikut rrugor, që të krijohet një flotë e re e droneve të vëzhgimit ajror, që të përmirësohet dukshëm teknologjia e monitorimit të kufijve, që të vihen në funksionim sisteme të sofistikuara të analizës inteligjente, që fizionomia europiane e Policisë së Shtetit të marrë një trajtë të re, përmes një sistemi të ri të furnizimit me uniforma”, tha ministri.
Ministri Lleshaj theksoi se modernizmi i vërtetë duhet të ndodhë tek njerëzit, tek burrat dhe gratë që ndërtojnë dhe mirëmbajnë sigurinë tonë.
“Dhe kjo është sfida e vërtetë, ajo më e rëndësishmja, e cila mundëson që investimet në sisteme e pajisje të japin rezultatin e pritur.Për këtë do të na duhet që të përsosim sistemin e arsimit, edukimit, trajnimit të Policisë së Shtetit; që Akademinë e Sigurisë ta shndërrojmë një institucion modern edukimi ku ngjizet një trupë e motivuar dhe e arsimuar punonjësish të rendit dhe sigurisë publike; që procedurat dhe standardet operacionale të Policisë së Shtetit të përafrohen me modelet më të përparuara europiane; që marrëdhëniet me qytetarët të arrijnë një nivel të padiskutueshëm besimi; që Policia të jetë realisht e të gjithë qytetarëve; që ajo të jetë jashtë dhe larg ndikimit të partive politike; që karriera në Policinë e Shtetit të jetë një shteg malor ku mund të ngjitesh vetëm me forcat dhe meritat individuale; që policët e Shqipërisë të jenë miq të mirë për njëri-tjetrin; që nderi, dinjiteti dhe integriteti të jenë tiparet bazë të identitetit të policëve tanë; që shteti dhe shoqëria të jenë në mbështetje dhe në përkrahje të plotë të policisë sonë”.
Gjithashtu, ministri tha se “nëpërmjet këtij programi që mban në konsideratë si njerëzit ashtu edhe teknologjinë ne do të sigurojmë një epërsi dominuese ndaj krimit në të gjitha aspektet për ta bërë kështu shumë të vështirë mbijetesën e tij”.
Ministri tha se “Policia e Shtetit ka nevojë për njerëz të aftë e të përkushtuar, për teknologji e për shumë gjëra të tjera.Por para të gjithash, ajo ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje të gjerë publike. Ne nuk mund ta blejmë dhe as duam ta blejmë me para shërbimin, dedikimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë. Ky shërbim nuk mund të ketë asnjë lloj çmim material. Ky shërbim sublim ka një çmim tjetër. Ai është dashuria dhe respekti ynë për policinë tonë”.
Ministri Lleshaj solli në vëmendje protestë e dy ditëve më parë, si një shqetësim për sigurinë e qytetarëve. Ai shtoi se “Jo më larg se dy ditë më parë, forcat e policisë, në përmbushje të detyrës që shoqëria u ka ngarkuar, u përballën me një agresivitet të absurd dhe të pabesë nga një grup i caktuar. Ato duar që u ngritën kundër Ina Nukës dhe kolegëve të saj, na tregojnë se verbëria politike e ka përherë potencialin për të sjellë dëme, jo vetëm mbi policinë, por mbi krejt shoqërinë. Izolimi i këtyre devijimeve të rrezikshme dhune kërkon jo vetëm reagim të vendosur të policisë, por edhe reflektim të gjerë shoqëror.
Po ashtu, ministri tha se politika duhet të jetë jo përballë por në krah të policisë.
“Për një reflektim të tillë i ftoj sot të gjithë qytetarët, përfaqësuesit politikë dhe para së gjithash moshatarët e Ina Nukës. Tek policia jonë duhet të shohim forcën tonë, dinjitetin tonë dhe mburojën tonë. Ne e mbajmë me taksat tona policinë që ajo të përballet vetëm me kriminelët. Për reflektim serioz ftoj edhe përfaqësues të caktuar politikë, të cilët nuk duhet kurrsesi të rreshtohen përballë policisë, por në krah të saj”, tha ai.
Në fund ministri Lleshaj shprehu bindjen se “kjo paketë e konsiderueshme, që Qeveria dhe qytetarët e vendit tonë i japin sot Policisë së tyre, e përcjell më së miri edhe mesazhin e përkrahjes së pa kushtëzuar politike dhe shoqërore për këtë organizatë të pazëvendësueshme, që i shërben të sigurisë tonë për një të ardhme më të mirë dhe evropiane”. /atsh