Loading...

8 milionë euro për sistemimin e ujërave të zeza në Vlorë

Pas një sërë investimesh të rëndësishme në infrastrukturë dhe jo vetëm, qeveria shqiptare është duke menduar edhe për detajet në qytetit e Vlorës, duke akorduar shumën prej 8 milionë eurosh për sistemimin e ujërave të zeza.

Gjatë prezantimit të buxhetit 2019 për infrastrukturën, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dha lajmin e mirë për banorët vlonjatë, se do të bëhet sistemimi i të gjitha ujërave të zeza në Lungomare.

“Vitin tjetër fillojmë një projekt të rëndësishëm që shkon gati në 8 mln euro për sistemimin e të gjitha ujërave të zeza në Lungomare. Lungomares do t’i kthehet bukuria jo vetëm nga pamja, por si një vend ku shëtitet siç duhet. Nga ana tjetër po përgatitet edhe një ndërhyrje tjetër në ujësjellës kanalizime të Vlorës, përfshirë edhe trajtimin e mbetjeve, projekte që janë në proces negocimi për financim me qeverinë gjermane, por fondet janë të siguruara”, – theksoi Gjiknuri.

Ministri u ndal edhe te veprat e financuara me Partneritet Publik Privat si dhe tek objektivat që pritet të përmbushë buxheti i vitit 2019 në infrastrukturën rrugore.

“Ne, me këtë buxhet mundësojmë që premtimet t’i bëjmë realitet, sepse shumë kanë folur për infrastrukturën edhe më parë, duke pretenduar se kanë bërë 10 mijë kilometra rrugë, kur inventari i rrugëve në Shqipëri nuk është më shumë se 3 mijë kilometra. Ky buxhet mundëson që bypass-et e Fierit dhe Vlorës të përfundojnë në kohën e duhur dhe bajpasi i Fierit të jetë i kalueshëm vitin që vjen. Ky buxhet bën që rruga Kardhiq-Delvinë, kjo nyje kaq e rëndësishme e turizmit shqiptar, të bëhet e mundur dhe në vitin 2021 ta kemi edhe këtë vepër të mbaruar. Dua të përmend këtu edhe investimet në mirëmbajtjen e rrugëve. Të gjithë qytetarët që udhëtojnë në akset rrugore, e shikojnë që ka ndryshime drastike në këtë drejtim. Gjithashtu dua të prek edhe një element tjetër, që shpesh anatemohet politikisht nga ata që nuk i zë gjumi, se mendonin se qeveria e Edi Ramës nuk dika të bëjë rrugë, apo nuk di të bëjë vepra. Për projektin me Partneritetin Publik Privat (PPP), këto janë projekte që do të financohen nga sektori privat dhe më vonë do të paguhen në vitet e ardhshme nga buxheti i shtetit, të shtrira në 13 vite. Ne kemi mundësi që ta marrim veprën në kohë dhe brenda 2-3 viteve të gjitha ato akse të rëndësishme në Veri dhe Jug, edhe rrugën e Orikumit të përfshirë, si dhe rrugën e Llogorasë, të cilat do t’i bëjmë me patjetër”, – u shpreh Gjiknuri./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com