Loading...

ZHULATIT, KU LINDA UNË ( vendlindjes time )/Nga Sejmen Gjokoli

ZHULATIT, KU LINDA UNË
( vendlindjes time )
1.
Ca male të rrinë kurorë,
Ca të mbajnë në pëqi,
Si sofër e madhe shtruar,
Shekujve kështu më rri.
2.
Me të gjelbër i tërë veshur,
Fiq, e rrush, e shegë, e ftua,
Nga do shkova, pas i mora,
Udhët e shtigjet e tua.
3.
Atje koka bam ma bëri,
Atje fola fjalën Nënë,
Atje nisa abetaren,
Atje pashë diell e hënë.
4.
Atje e njoha ugarin,
Tërfilin me dy, tre fletë,
Atje njoha manushaqen,
Dhe byrekun me lëpjetë.
5.
Atje dëgjova bilbilin,
Dhe thëllëzat në radhua,
Atje pashë të bardhën borë,
Ujin që buron në krua.
6
Atje pashë me sy male,
Gryka të thella me hone,
Atje pashë vetëtima,
Gjuhë flakësh në ciklone.
7.
Atje dëgjova magjinë,
Kur binte cula, longari,
Atje pashë bukurinë,
Trëndelinën që rrit mali.
8.
Atje pashë plot lezete,
Zilet me kope të rënda,
Kërrabën me pika shkruar,
Djathin me napë te tënda.
9.
Atje pashë dasmat labe,
Kur burrat bënin dolli,
Atje pashë labëreshat,
Me tumane e peshlli.
10.
Atje e dëgjova këngën,
Si një simfoni më vehte,
Atje dhe ison e shtruar,
Si valë që lëmon dete.
11.
Atje pashë vallen e sertë,
Me të bardhën fustanellë,
Atje pashë xhufkën me gjalmë,
Në opingën gjysmë prerë.
12.
Atje pashë dhe një burbuqe,
Trëndafil, lule lofate,
Një që ish e mbeti ëndërr,
Një labëreshë zhulate.
13.
Atje pashë, e pashë shumë,
Shkojnë vitet, rrjedhin lumë…

Sejmen Gjokoli

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com