Ing. Klaudio Nuredini
– Mos shko në Vlorë të tregosh sa shumë je fryrë me botoks, as për tatuazhin e ri që ke bërë në të prapmet e pret me padurim ta ekspozosh, as për t’u krekosur si gjel deti sa çun babi me lekë je, duke besuar se siguria e ofruar nga tipi i fundit i makinës që vozit, do arrijë të fshehë frikën e dështimit prej pasigurive që të jep mendja e trashur e fatit prej fatkeqi.
Shko ta jetosh detin, ajrin, natyrën, të bukurën e shpirtit droje-shumë, që mbart ai vend me frymë të pastër e mister të madh.
Natyrisht që nëse viziton brigjet e jugut vetëm për t’u pllaquritur në det e për të shfaqur tangarllëkun duke postuar selfiet buzëviç, nëse vete për të nxjerrë statuse në “Facebook” sa shumë u ngope kur të erdhi fatura e omëletës super e kripur, e nëse për të kaluar 500 metra rrugë do presësh me orë të tëra në trafik, ku sosja e durimit i bën të gjithë bashkë në shfryrjen e dufit teksa gëlojnë sharjet e ofendimet për këdo e çfarëdo del përpara, natyrisht kur të vjen në majë të hundës do marrësh me vete në kthim veç zhgënjimin.
Por, provo ta përvetësosh Vlorën duke zbuluar mes thjeshtësisë atë madhështi, e cila e bën unike, të pakrahasueshme me asnjë qytet tjetër.
Njihe në thellësi, jo veç duke parë mrekullinë sesi deti kristalizohet sapo bie mbi valët e ngrohta e si shkëmbinjtë qëndrojnë stoikë në atë ndeshje shekullore që ofron natyra; as mos rri duke mallkuar pse ca hapa më tej vjen era mut, ngaqë kanali i ujërave të zeza derdhet në breg. Nëse diçka nuk të pëlqen, nuk je pemë të rrënjosesh diku: lëviz derisa të gjesh kontaktin me natyrën, me jetën. Të zbulosh adrenalinën e vërtetë që mund të të ofrojë e panjohura dhe të humbësh veten me dëshirë larg monotonisë.
Të njëjtën këshillë ndoqa për veten një të diel të dielltë shtatori, kur më kishin ardhur në majë të hundës jo vetëm zhuzhurimat e qytetit, por në parim rrëmuja kaotike që shkaktojnë grumbuj njerëzish mbledhur qoshkave pa pikë orientimi. Duket sikur përditshmëria na ka imponuar në mënyrë mekanike disa veprime, të cilat jemi mësuar t’i zbatojmë përmendësh, pa kërkuar kënaqësinë në kohën që konsumojmë, por thjesht të vrasim orët nën të njëjtën rutinë mbytëse. Atë ditë kuptova sa pak e njohim vendin tonë dhe sa shumë energji pozitive mund të marrim prej kësaj pasurie me të cilën jemi bekuar.
Provoni të mos i bindeni rehatisë së autostradës kur dilni nga Vlora, por futuni nën shtegun e ngushtë në të djathtë për të ndjekur rrugën e Kripores, një rrugicë e mbushur me guriçka që të shpie drejt parajsës tokësore. Paguajmë qimet e kokës për ta parë një mrekulli të tillë kur ikim jashtë Shqipërisë, por tregohemi ndonjëherë aq indiferentë kur na dhurohet në vendlindjen tonë jo vetëm falas, por me lutje përgjërimi prej natyrës, për ta vizituar atë copës magji, që duket si e pikturuar nga dorë e Perëndisë. Një udhë e zgjatur me kilometra, herë e shtruar e herë gropa-gropa, ofronte në të dyja krahët e saj një pamje magjepsëse, gati përrallore. Laguna e Nartës ngjasonte me një peizazh të dalë prej romanësh, ku edhe fjalët hutohen në përshkrimin e asaj perle që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Peizazhin e bënin edhe më të bukur shpendët e veçantë, të cilët me pak turp për mosdijen time nuk munda t’i emërtoj të gjitha llojet e tyre. Por, padyshim që nuk mund të më shpëtonte sysh duke më dhënë njëherazi edhe një emocion të papërshkrueshëm, pushtimi i lagunës prej një pelikani aq të veçantë, që nuk e prishte terezinë e tij prej kuriozëve që e ndiqnin. Po aq i mrekullueshëm ishte riti i fluturimit në mënyrë harmonike, porsi një spektakël dhuruar në qiell i gjashtë pelikanëve, të cilëve ua hoqëm vështrimin veç për disa çaste, e kur i kërkuam sërish, u çuditëm kur u zhdukën aq shpejt pa lënë gjurmë.
Në fund të rrugicës së gjatë gjarpëronin disa dredhime, të mbuluara me pyje jeshiluar. Nëse instinkti të çonte drejt, bëje mirë t’i besoje, sepse përpara të shfaqej një “shkretëtirë” e rrethuar nga gjelbërimi, ca më tutje duna me madhësi të ndryshme, që ofronin një panoramë thuajse joreale, në të djathtë mbijetonte ende një ndërtesë e rrënuar lënë në harresën e viteve dhe përpara shtrohej deti me gjithë madhështinë e tij. Një qetësi e habitshme për veshët e dikujt që është mësuar të jetojë mes zhurmës që imponon qyteti. Atje dukej sikur ora kishte ndalur në vend dhe kohën e botën e kishe krejt për vete. Nuk kishte të shkuar, nuk gjeje të ardhme, në atë pikturë natyrore frymonte vetëm e tanishmja.
Mes hendeqeve me pemë që vështirësonin udhëtimin, të drejtonte udha drejt motopompave. Mbi rrjedhë dikush kish’ ngritur një “lokal”, në mënyrë krejtësisht artizanale e amatore, por të këndshme. Të ofronte drekën mes pyllit, duke dëgjuar gjinkallat, e duke kaluar mbi një urë që dukej sikur nga çasti në çast do shkëputej prej peshës e do rrëzohej.
“Më falni, në cilin drejtim duhet të vemi për të dalë në Delisuf?”, pyetëm pronarin e lokalit, ku pas disa orësh udhëtim, na kapi syri qenie njerëzore.
“Eh vëlla, është larg shumë, mos shkoni se do humbisni nëpër pyll”, na tha zotëria, që na u duk se e kishte këtë thënie një taktikë të lezetshme për të tërhequr vizitorët në atë vend të improvizuar bukur për të ngrënë.
“Çfarë ofroni për drekë? – e pyesim – Vetëm mish gici kam”, tha tërë qesëndi dhe bashkë me djalin e tij përgatitën shpejt e shpejt një gatim të thjeshtë, por ofruar me një lloj komunikimi që të bënte shpejt për vete.
Pasi mbaruam dhe u sigurua që drekën tashmë e kishim shpenzuar aty, na tregoi se po të merrnim rrugën e pyllit, nuk do ishte dhe aq e vështirë, mjafton të ndiqnim gjurmët e lëna prej makinave dhe të ecnim vetëm drejt, pasi të na shfaqeshin para moto–pompat. “Do shihni ca bunkerë, aty do kuptoni që jeni në drejtimin e duhur. Por, do shkoni për hall, keni dikë atje?”, foli me shprehje babaxhani. “Ah jo, thjesht për qejf, duam ta eksplorojmë Vlorën pak më ndryshe”, i shpjeguam qetësisht.
Dhe ashtu ishte vërtet, një shtegtim nëpër pyll. Dhe duhet të ishe pak i marrë për këtë aventurë. Sepse fjala “drejt” në pyllin e lagunës ishte pothuajse çdo kthesë. Duhej të përfytyroje pamjen ku do të të nxirrte udha e ndjekur, në mënyrë që të mos gaboje. Për disa orë rresht të shihte syri veç bredha që kishin mbirë vetvetiu atje dhe rriteshin shëndetshëm në habitatin e tyre. Kudo pemë, e në të djathtë të pyllit ngrihej një kodër po me gjelbërim, ndërsa në të majtë, pas jeshillëkut gjendej laguna. Flladi që jehonte nëpër pyll gumëzhinte aq sa ngjante posi zukatje mizash, sepse në vesh të vinte veç porosia e natyrës për ta lënë veten të lirë. Aty kupton sa i vogël është njeriu para madhështisë së natyrës, sa shpejt mund të dorëzoheshe përballë një shkretie, por që të dëshmonte në çdo pëllëmbë se kishte jetë.
Herë na dukej sikur humbitnim nëpër kthinat e pyllëzuara, herë na shfaqej se pas gëmushës së radhës do merrte formë të plotë pamja, herë ngjante sikur era na përgjonte e përndiqte nga pas, e herë trembeshim prej ndonjë zëri tek–tuk që jehonte përtej lagunës. Pas kthesave e kthesave që dukej sikur nuk mbaronin, na u shfaqën bunkerët. Rreshtuar të katërt njëri pas tjetrit, si krushqit kur marrin nusen, me krenarinë se kishin marrë atë copës parajse që identifikohej me emrin e tyre. Na u kujtua porosia e lokalxhiut kur na theksoi se bunkerët ishin orientimi i cili tregonte se nuk kishim humbur.
Në dritaret e improvizuara të bunkerit ngrihej madhërishëm pylli, ndërsa prej pjesës ku duhet të ishte hyrje mund të shquaje që larg detin dhe një anije me vela që pushonte aty. Drejt ishte sërish rrugicëza e rërëzuar, e cila të jepte më tepër energji pasi e vështirësonte goxha udhëtimin. Ecëm një copë të mirë rruge dhe që larg pamë një hapësirë të mbështjellë me sera, e diku edhe më larg syri të kapte një shtëpizë “imcake” ngritur me qerpiçë.
Më në fund, pas rreth pesë orë udhëtimi nëpër rrugica qorre, dilje në një rrugë të asfaltuar që të shpinte në drejtim të Delisufit. Rrallë mund të shihje një pamje që në versionin tredimensional të të ofronte një çlodhje të tillë: ngado vështroje, mahniteshe prej bukurisë.
Ecëm drejt, drejt, e vetëm drejt dhe habia edhe më e madhe ishin ndërtesat e atij fshati, që për shumëkënd mund të jetë i padëgjuar. “Waw, mesa duket erdhëm në Paris”, thamë me shaka e të hutuar. Nuk kishte as pallate, as ndërtesa të shëmtuara. Buzë rruge ngriheshin vila të ndërtuara me estetikë, ose jetonin harmonishëm krah tyre shtëpitë karakteristike, ndërthurur me fisnikërinë e viteve dhe me shijen e tradicionales. E si tek filmi “Zonja nga qyteti”, mund të gjeje grupe njerëzish hipur mbi zetor, ose gra të veshura me rrobat e fermës dhe me lopatat e kazmat në supe, por me buzëqeshjen dhe qetësinë në fytyrë.
Më tej kaluam në Poro, e që prej atje në Novoselë e Panaja, ku vihej re një diferencë shumë e madhe mirëqenieje me Delisufin që posa lamë pas. Nëpër klubet e lagjes shihje të moshuar teksa pinin raki dhe debatonin me patos për politikën. Më tutje gjeje tufa të rinjsh që ndërsa përtypnin e pështynin fara rrugëve, të hidhnin vështrime prej të panjohuri.
Në qoshen majtas rrugës që zgjatej përpara nesh, qëndronte hijerëndë një ulli shekullor. Morëm rrugën e Bestrovës, pasi pamë që ngrihej në kodër një kishë e këndshme. Arritëm gjer në oborrin e kishës, por dera e mbyllur me dryn dhe qetësia shkretuese përqark, na bënë të ktheheshim mbrapsht pa mundur të venim brenda. Ikëm me shpresën se një ditë do e vizitojmë sërish. Nëpër një rrugë që kalonte së poshtmi autostradës ktheheshe në Vlorë… Ose sërish në Nartë, nëpër atë qerthull udhëtimi nëse nuk ndjeje lodhje.
E gjithë kjo adrenalinë, prej 57 kilometrash, nëpër shtigje e qoshka të improvizuara rrugësh, kushtoi 500 lekë karburant motori dhe pafund energji. Tani thuamëni: cila pjesë është më e bukur: ajo që shihni sipërfaqshëm, teksa vizitohet përvit monotonishëm prej njerëzve, apo Vlora që gëlon në zemër të së bukurës? Ky qytet ka lindur për të qenë i bekuar. Duhet thjesht ta duam duke e njohur, për t’i zbuluar thesaret që ruan me fanatizëm. Një shprehje vlonjatçe thotë se “detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala”. Ndaj, atë ditë i bëra premtimin Vlorës se do ia dua po aq sa bukurinë madhështore që shfaq, edhe atë madhështi të fshehtë që nuk e zbulon për këdo, por ia dhuron kujtdo që guxon ta sfidojë natyrën.
Dëgjohemi në një tjetër udhëtim, nëpër monopatet e Vlorës, pa dyshim!
The post “Vlora nuk ka vetëm dët, o vlla!” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.