Zënkat nuse e vjehrrë janë më të zakonshmet në familjet shqiptare.
Një histori sherresh familjare që ka mbërritur deri në dyert e gjykatës ka dalë sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24.
Dhuna në familje është një nga fenomenet më të rënda e cila vazhdon të godasë çdo ditë shoqërinë tonë. Një nënë 65-vjeçare akuzon të birin dhe nusen e tij se e kanë dhunuar disa herë fizikisht e psikologjikisht gjatë jetesës së tyre të përbashkët.
Çifti i ri kishte konflikte të shumta mes tyre, 65-vjeçarja thotë se ka mbrojtur nusen pasi nuk dëshironte që i biri të divorcohej dhe fëmijët e tij të përjetonin një dramë kaq të fortë.
Megjithatë ajo u akuzua se ishte shkaktare e atyre që po ndodhnin, filluan me fjalë e më pas situata agravoi dhe përfunduan në dyert e policisë dhe gjykatës.
65-vjeçarja ka kërkuar urdhër të menjëhershëm mbrojtje pasi akuzoi nusen se i theu dorën ndërsa i biri e tërhoqi zvarrë. Ajo e akuzon nusen e djalit se i ka bërë magji djalit dhe asaj vetë.
Sipas saj, djali dhe nisja kanë zaptuar një pjesë të shtëpisë dhe jetojnë atje afër saj, ajo nuk e dëshiron këtë gjë dhe kërkon largimin sa më parë. Dëshiron të jetojë e vetme dhe e qetë larg tyre.
“Djalit i kam gjetur copën e drurit në jastëk kur po i rregulloja krevatin dhe nuk e preka më krevatin. Thosha pse më hedh këtë pluhurin e bardhë. Nusja jonë është pritur më së miri në shtëpi. Unë i kam ruajtur fëmijët. Ajo nuk pyeste. I thosha fol si njeri. Çonte televizorin tek muzika në pikë të mëngjesit, merrte telekomandën dhe bënte fiu-fiu. I shkrova letër djalit tim, si nuk dite me i fol njëherë asaj tamam. Në u bëmë copë për atë. Fëmijët i kam rritur. Kur çohej në mëngjes, i ka rënë plaka skleroza thoshte. Që kaq vite dhe më doli skleroza. Më thoshin ik tek dhëndurët”, tregoi 65-vjeçarja.
Nga ana tjetër djali ka ndërhyrje në lidhje telefonike dhe ka akuzuar nënën se ka dorë dhe se në rastin që shkoi deri në gjykatë, nusja kishte reaguar për vetëmbrojtje pasi e ëma i kishte shkulur një tufë flokësh dhe nuk e lëshonte.
“Situata ka qenë para ca kohësh e vështirë por tani nuk besoj se është e vështirë. Unë them se i rregullova punët. Si nëna dhe nusja donin t’i shkonte e vetja, motrat ndërhynin dhe arritën gjërat deri këtu. U largova një vit nga shtëpia, shkova me qira se ashtu ishte situata. Ika për të qetësuar situatën. U arrit të vihej dorë. Kockat i kam shtrembëruar për këtë shtëpi. Kam punuar, kam qenë djalë i vetëm. I thashë nënës do kthehem në shtëpi, se nuk e shtyj dot me qira vet i pestë. I thashë mbaje pjesën më të madhe të shtëpisë.
Nana dhe nusja nuk përputheshin. Nëna është nënë nuk të bëhet njeri nënë dhe unë rashë mes dy zjarreve”, tregoi i biri.
Ai tha se nëna i kishte thënë të ndahej nga nusja por se nuk mund ta lërë gruan me të cilën ka tre fëmijë.
“Më pati thënë lërë nusen merr çunat. Njeriu ndahet për dy gjëra, më thoshte dembele, por aq e ka njeriu. Nëna ime ka dorë, është nevrike, të gjuan.
Nëna ime i kishte shkulur një tufë flokë nuses. Kishte ardhur nëna, gruaja me dy fëmijë në krah, kishte vajtur nëna i kishte ulur kokën poshtë tek shalët dhe i kishte shkulur flokët. Nusja për t’i hequr duart e kishte shtyrë dhe ishte vrarë. Nëna shan me fjalë meshkujsh. Kam vendosur një mur që mos ta shohë nusen, se nuk do ta shohë fare. I thotë një e dy magjistare”, tha djali i 65-vjeçares.
Me gjithë kokëfortësinë si e moshuara ashtu dhe i biri vendosën të takoheshin për të gjetur një zgjidhje dhe gjuhë të përbashkët komunikimi.