Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar publikoi në faqen zyrtare një listë me 44 emra portalesh të paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Në këtë komunikatë të shpërndarë për mediat AKEP në mënyrë ultimative u kërkon këtyre mediave online që të regjistrohen në QKR dhe brenda 72 orësh te deklarojnë niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes së tyre online ose në të kundërtën do të mbyllen.
“Disa prej tyre, janë të regjistruar por nuk e kanë të shfaqur në ëebsite të tyre kodin apo NIPT-in në faqen e tyre. Kështuqë AKEP do të monitorojë, cdo subjekt duhet të ketë një kod në faqe.” U shpreh kreu i AKEP.
Mes portaleve të gjetur në parregullsi janë edhe domene të marra në shtete të tjera me prapashtesën .net dhe .it që janë jashtë juridiksionit shqiptar. Por sipas AKEP për cdo rast të tillë do të konsultohet ngushtësisht me autoritetin e mediave audiovizive.
“Sigurisht autoriteti përkatës është AMA, besoj është edhe organi i cili do të referojë në vijim të gjithë përputhshmërinë ligjore të funksionimit të mediave online AKEP përgjigjet vetëm për pjesën e domain vetëm për pjesën e on line”
Por vetë AMA nuk ka asnjë kompetencë ligjore mbi mediat online për të cilat nuk ekziston një ligj rregullator si në rastin e mediave audiovizive.
Nisma e kryeministrit për mbylljen e portaleve të paregjistruara pjese të paketës antishpifje të paralajmëruar prej tij ka provokuar reagime brenda komunitetit të gazetarëve dhe atyre që drejtojnë dhe administrojnë media on line.
“Ka nevojë për formalizim nga pikëpamja e të drejtës së autorit, pra ka nevojë për një paketë të plotë, por sërish mendoj që kjo nuk zgjidhet me udhër, me një vendim nga qeveria ose regjistrohuni ose do mbylleni. Mediat online janë hapësira më e madhe e lirisë së shprehjes në Shqipëri dhe janë më pak të kontrolluarat nga qeveria dhe ndoshta qeveria ka një tendecë për të vendosur një lloj kontrolli në këtë aspekt dhe besoj nuk e ka shumë të mundur.” -U shpreh Robert Rakipllari nga ‘Panorama online”
https://youtu.be/UE71A3CR_QA
“Nëse i shohim pa asnjë paragjykim është mirë që të gjithë mediat online të jenë të regjistruara. Të jenë të regjistruara në tatime sepse moralisht janë media që predikojnë rregullim të shoqërisë dhe nuk mund të jenë të parregulluara për vete. E dyta edhe për konkurencën mes tyre është mirë të jenë të regjistruara etj etj. Në pamje të dytë më ngjan se është një nismë edhe për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar një kaos dhe një zhurmë pa shkak. Pyetja themelore që shtrohet është pse kryeministri u kujtua kur nisë të humbasë betejën e propagandës përsa i përket skandaleve që i plasën për lidhjet e tij me krimin” u shpreh Andi Bushati nga Lapsi.al
Por për gazetarët e rrjetit investigativ BIRN ultimatumi i kryeministrit për t’u regjistruar në QKR shihet si një atentat ndaj fjalës së lirë.
“Ky është një akt i paprecedentë censure në Republikën e Shqipërisë dhe një hap pas në demokraci për më tepër është një dhunim i sundimit të ligjit nga ana e kryeministrit dhe AKEP. Është e turpshme që fushata antishpifje nis me shpifje, dmth AKEP merr përsipër të deklarojë që reporter.al është pa i regjistruar në Shqipëri dhe duhet të regjistrohet kur në fakt ai është publikim i rrjetit Ballkanik për gazetari investigative.” – u shpreh Gjergj Erebara nga reporter.al
Ndërkohë në një njoftim të dytë AKEP deklaron se ka konstatuar se një pjesë e subjekteve kishin NIPT por nuk e kishin publikuar në faqen e tyre të internetit dhe nuk e kishin përditësuar në AKEP sipas rregullores së domaineve dhe për këtë arsye kanë përditësuar të dhënat për NIPT dhe disa zotërues të tjerë domainesh po vazhdojnë me përditësimin e informacionit./korrieri