Në ligjet e reformës në drejtësi ka një pikë të rëndësishme, e cila reflekton shpresën më të madhe të shumicës së shqiptarëve për t’u çliruar nga kjo klasë famëkeqe, kriminale dhe mafioze politike, e cila prej 28 vitesh përdhunon, plaçkit, shet, mban peng dhe sundon Shqipërinë, duke vjedhur dhe përçarë shqiptarët, duke i varfëruar dhe mpirë me propagandë, duke kontrolluar krimin, trafiqet, zgjedhjet, ekonominë dhe mediat. Kjo pikë është makthi më i tmerrshëm i mafies politike të Tiranës, me në krye Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, të cilët janë përgjegjësit kryesor për katandisjen e Shqipërisë, për ndarjen nga BE, për varfërinë, krimin dhe korrupsionin në çdo qelizë. Nga ana tjetër, kjo pikë është një mundësi për shqiptarët, për të shporrur këtë klasë politike dhe për t’u qeverisur nga njerëz normalë.
Bëhet fjalë për ligjin për ngritjen e organeve të reja të kërkuara nga SHBA-BE, të cilat do të shkallmojnë krimin dhe korrupsionin politik në Shqipëri. Në pikën 9 të nenit 57 të këtij ligji përcaktohet se Byroja Kombëtare e Hetimit do të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje.
Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Kjo pikë u kundërshtua fort nga njerëzit e Edi Ramës, Ilir Metës, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, me justifikimin qesharak se cenohej sovraniteti i Shqipërisë. Ata tentuan ta hiqnin. Por u tërhoqën pasi morën një kërcënim nga përfaqësuesit e Perëndimit. Këta kërcënuan se do të hiqnin dorë nga reforma në drejtësi dhe do të merrnin masa ndaj mafies politike.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura, ekspertët e SHBA dhe BE u thanë njerëzve të mafies politike shqiptare, se Byroja e Hetimit do të kontrollohet nga SHBA-BE ashtu siç po kontrollohet Vetingu.
Ata i thanë politikës shqiptare se ka ardhur koha që të pranojnë një strukturë si EULEX në Kosovës.
Ky është mesazhi i ekspertit John Smibert për klasën politike shqiptare: “Kjo është që ju të keni një EULEX të ri këtu, por nënkuptohet që të jenë ata ofrues të ndihmës, që ekzistojnë tashmë, dhe të caktojnë personat, të cilët do të jenë pjesë e këtij komisioni, mbase komision s’është fjala e duhur për t‟u përdorur, por do të jetë thjesht një komision personash, të cilët do të japin këtë këshillë e këtë transparencë. Ju, nëse doni një marrëveshje ndërkombëtare vetëm nga kjo e kaluar, e miratuar nga senati në SHBA, kjo gjë nuk ndodh.
Nëse ju i doni paratë nga FBI-ja, që të jenë këtu të pranishme, dhe FBI-ja të ofrojë ndihmën e saj, atëherë hapja e këtij procesi është e nevojshme dhe pjesë e këtyre marrëveshjeve dypalëshe, janë të nënshkruara mes Departamentit të Shtetit dhe Shqipërisë”./Pamfleti