Loading...

Sezoni i ardhshëm turistik, 365 masa për çdo ditë të vitit

Promovim, marketing më të mirë përgjatë gjithë vitit, por mbi të gjitha 365 masa në vit, që do të thotë nga një masë konkrete çdo ditë.

Ky është objektivi i Ministrisë së Turizmit për të arritur objektivin e 10 milionë turistëve përgjatë një viti në Shqipëri. Këtë deklarata ministri Blendi Klosi e bëri gjatë Konferencës Kombëtare të turizmit në Tiranë.

“Sfida jonë për të pasur 10 milionë turistë në vit, do të shtrihet në 365 ditë të vitit të ndërtuar në 365 masa konkrete”, nënvizoi Klosi.

“Objektivi është të shtojmë disa qindr-mijëra vende pune, të rrisim investimet e huaja në sektor dhe të përmirësojmë imazhin e Shqipërisë. Duam shumë të forcojmë dhe rrisim cilësinë e shërbimit. Dhe këtë do ta bëjmë nëpërmjet formimit profesional. Do të synojmë tregun e Azisë dhe Amerikës”, theksoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit.

Një nismë tjetër, e cila sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi do të sjellë rritje të të ardhurave në ekonomi, është njoftimi që në fillim të vitit i të gjitha festave të fshatrave në vend, në mënyrë që operatorët turistike të përgatiten dhe të sjellin sa më shumë turistë në çdo aktivitet.

“Këtë vit do t’i shpallim në fillim të vitit të gjitha festat, në mënyrë që të ketë më shumë biznes, më shumë ekonomi”, – tha ai.

Më pas, ministri i Turizmit renditi disa statistika të së shkuarës dhe objektivave për të ardhmen në turizëm.

“Objektivi ynë është që këta 10 milionë turistë në vit në Shqipëri, ta arrijmë brenda vitit 2025. Duam të dyfishojmë numrin e turistëve, në vitin 2017 në Shqipëri erdhën 5 milionë turistë, 6 milionë në 2018, dhe presim 20 % më shumë në 2019”, tha Klosi.

Klosi deklaroi se vetëm në vitin 2018 turizmi i ka sjellë ekonomisë 2 miliardë euro të ardhura.

“Në 2018 nga turizmi janë llogaritur rreth 2 miliardë euro të ardhura në prodhimin e brendshëm bruto’’, – tha ai.

Në fund, ministri parashtroi edhe objektivat konkrete për përmirësimin e turizmit përgjatë sezonit veror në bregdet për vitin e ardhshëm.

“Bëmë shumë këtë vit por është e pafalshme që ndarja e plazheve të ndodhë akoma në gusht, nuk do të pranojmë më që plazhet tona të jenë pa kulla vrojtimi. Nuk do të pranojmë më që plazhet dhe rrugët tona të jenë të papastra. Këto kushte do të jenë realizuar me patjetër në sezonin e ardhshëm turistik veror”, – tha Klosi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com