Edi Rama ka mbledhur në një takim drejtorët e policisë, dukshëm i acaruar me disa nga ngjarjet e fundit kriminale dhe impaktin që ato kanë pasur në opinionin publik. Rama kritikoi drejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe të Aankesave se nuk reagoi në kohë për të verifikuar letrat që i kishte dërguar Emiljano Nuhu.
Rama e quajti “një shpifës” oficerin Emiljano Nuhu, por u shpreh i habitur se përse nuk u publikuan në media pamjet e komisariatit për të treguar se e gjitha ishte një sajesë dhe në vend të kësaj u dorëzuan si provë në prokurori.
“Djali deputetit është aty ku do ta kishte çuar drejtesia dhe jo ku do ta kishte lënë partia. Pavarësisht se policia u godit brenda radhëve të saj, prej një shpifësi të provuar katërciperisht, u desh që shpifja të merrte dhenë dhe struktura të çmontohej.
Ku ishte drejtori i SHÇBA-së, kur shpifesi solli me shkrim shpifjen? Pse nuk u veprua menjëherë, por doli kur letra u bë publike? Pse iu la një shpifësi të krijonte vorbull dhe të përfitonte azil? Kujt ia kishim borxh mosreagimin e SHÇBA-së për një shpifje që u bë dhe që torolisi dynjanë për një javë rresht.
Pse iu mohuan publikut kamerat e komisariatit, për atë që ka ndodhur realisht? Ndërkohë që në ato kamera del qartë, që e tërë skena e përshkruar në skenën e shpifësit është sajesë e tij fund e krye? Nuk mjafton fakti që kamerat iu kërkuan prokurorisë, se nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori policia e shtetit. U la gjithë Shqipëria të përpëlitej me deputetë në komisariat dhe që i vënë pistoletën në ballë punonjësit të policisë.
E vërteta e tëra në policinë e shtetit dhe policia që rri e pret të reagojë në këtë kohë dixhitale duke thjesht respektuar procedurën. Unë nuk mund ta pranoj dot që një jashtënxerrje mbi policine të marrë dhenë dhe një provë të çohet në prokurori dhe aty mbyllet se është provë hetimore” u shpreh Rama.
Ndërkohë për rastin e video-përgjimit të Fredi Alizotit të publikuar nga deputeti Ervin Salianji, Rama kritikoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që reagoi publikisht, ndërkohë që duhet të kishte heshtur për të folur vetëm në prokurori.
“Autoriteti më i lartë i unormave blu reagon emocionalisht duke u thithur nga vorbulla e kësaj jashtënxjerrje. Unë e di i dashur drejtor si është të të sulmojnë në dinjitet, për gjëra kundër të cilave ti lufton, por nuk i takon autoritetit më të lartë të policisë të replikojë me një politikan dhe më një kriminel të degraduar. Ju takonte t’i drejtoheshit prokurorisë dhe të ofroheshit të dëshmonit për hetimin e cdo shpifjeje, pasi dhe nëse verifikohet përcillet në gjyq, raporti i kësaj trupe me shpifjet nis me verifikimin dhe mbaron me informimin e publikut.
Replikat dhe deklaratat nuk i përkasin kësaj trupe” u shpreh Rama.