Kryesia e Partisë Socialiste ka shkarkuar 11 drejtues të PS në rrethe për neglizhencë, mungesë organizimi, mospërmbushje detyrash e objektivash dhe shthurje në ato degë bashkiake ku drejton opozita. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të kryesisë së drejtuar nga kryetari Edi Rama.
Disa nga qytetet ku janë shkarkuar drejtuesit e PS; Selenicë-Nertil Bellaj-njëkohësisht drejtor i AKU-së
Delvinë-Izet Silaj, Memaliaj-Rajmonda Arizi Pas mbledhjes që zgjati më shumë se një orë në selinë rozë, zëdhënësja e Kryesisë së PS, Elisa Spiropali njoftoi shkarkimet, ndërsa shtoi se janë bërë për shkak të degradimit të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë. “Ka një degradim të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë dhe po bëhet analizë e punës së drejtorëve dhe e qeverisjes në territor. Ne kemi shkarkuar kryetarë degësh të PS, por nuk e kam listën. Ne nuk kemi opozitë dhe nuk mund të presim lindjen e opozitës që të vendosim gishtin në plagët e qeverisjes lokale apo qendrore ku ka nevojë për ndërhyrje. Drejtuesit politikë do të rrisin prezencën në territor.”Në mbledhjen e djeshme të grupit të PS, kryeministri Edi Rama u shpreh se ‘disa drejtorë legena po na nxijnë fytyrën’ duke thirrur urgjent mbledhjen e sotme të Kryesisë që solli shkarkimet.