Largimi nga Shqipëria pa dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Bllok, ka bërë që Policia të shpalli në kërkim këngëtaren Elvana Gjata, përveç të dashurit të saj, Ervina Mata. Nga të dhënat e deritanishme, pas verifikimit të sistemit TIMS, rezulton se këngëtarja 31-vjeçare është larguar nga Shqipëria vetëm pak orë pasi ndodhi krimi, pa dhënë më parë shpjegime në Polici. Kjo është edhe arsyeja pse është bërë shpallja në kërkim, pasi dëshmia e Elvana Gjatës është e rëndësishme për grupin hetimor dhe mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Burimet thanë se rreth orës 05:00 të mëngjesit të së premtes, pak orë pasi u vra me armë zjarri 28-vjeçari Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hato, këngëtarja ka fluturuar nga Rinasi në drejtim të Austrisë. Më pas, sipas të dhënave të siguruara nga Policia, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku edhe mendohet se ndodhet aktualisht. Persona të afërm të saj, kanë deklaruar se udhëtimi i Elvana Gjatës ka qenë i planifikuar më përpara, pasi ajo kishte një koncert atje dhe nuk është larguar për t’iu shmangur hetimit.
KERKIMI POLICOR
Në materialin që Policia ka referuar në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me vrasjen dhe plagosjen e dy personave të ndodhur në ambientet e lokalit në pronësi të Redi Popeskut, te ish-Blloku, përveç provave të gjetura në vendngjarje, renditen edhe veprime të tjera hetimore. Pasi renditen provat e sekuestruara në vendngjarje dhe nga këqyrja e kufomës, Policia shprehet se ka shpallur në kërkim policor edhe 5 persona, njëri prej të cilëve u arrestua pak orë pas ngjarjes.
“Nga ana jonë është bërë sekuestrimi i DVR-ve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, si dhe të gjitha provave materiale, si edhe të gjitha vendimet e ekspertimeve përkatëse për këto prova materiale. Gjithashtu, është bërë shpallja në kërkim policor i shtetasve, Elvana Gjata, 31 vjeç, Geldo Hoti, 37 vjeç (tashmë i arrestuar), Mevjol Bilo, 41 vjeç, Fabio Allushi, 42 vjeç dhe Ervin Mata, 31 vjeç. Për sa më lart, nga deklarimet e shtetasit Redi Popesku, rezulton se: Shtetasi Ervin Mata së bashku me personin ‘Joli oficer në Zall-Herr’, për të cilin disponojmë gjeneralitetet Mevjol Bilo dhe dy persona të tjerë, kanë hyrë në lokal ‘Monopol’, rreth orës 18:00. Më pas Ervin Mata ka dalë jashtë dhe është takuar me të dashurën e tij Elvana Gjata dhe kur futet brenda ishte shumë i acaruar”, thuhet në dosjen e referuar në Prokurori. Burimet sqarojnë se për të shpjeguar këtë moment, pra, bisedën që ka bërë me të dashurin e saj Elvana Gjata, që solli acarimin e tij, është bërë shpallja në kërkim policor dhe kërkohet shoqërimi i saj për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes.
“Pati të shtëna arme zjarri nga të gjitha drejtimet”
“Pasi sqarohet koha kur Ervin Mata dhe Mevjol Bilo kanë mbërritur në lokal, bashkë me persona të tjerë, fakti që ata të dy kanë dalë jashtë, janë takuar me Elvana Gjatën e janë kthyer sërish brenda, Policia shpjegon edhe momentin e ngjarjes. “Rreth orës 21:00, në lokal ka ardhur shtetasi Ervis Martinaj, së bashku me dy persona të tjerë që nuk njihen prej deklaruesit dhe Ervisi ulet kokë më kokë me Ervin Matan. Personat që e shoqëronin Ervisin u ulën te banaku. Në këtë moment në lokal kanë hyrë dy persona të tjerë, të njohur të Ervisit dhe konfliktohen direkt me Mevjol Bilon dhe e godasin me grushte Mevjolin bashkë me djalin, që erdhi në fillim në lokal, Ervini. Në këtë moment Ervisi dhe Ervini janë futur për të ndarë dhe në këtë kohë njëri nga personat e Ervis Martinajt kishte në dorë një armë dhe deklaruesi nuk ka parë se kush ka goditur, pasi është futur poshtë banakut. Në këtë moment ka dëgjuar të shtëna me armë nga të gjitha drejtimet. Kur mbaruan të shtënat, Ervis Martinaj, me zvarritje ka shkuar anash banakut, në vendin ku ndodhej Redi Popesku dhe i ka kërkuar ndihmë ta çonte në spital”, thuhet në materialin e referuar nga Policia./PANORAMA