Ndryshe nga opozita, e cila vijon sulmet ndaj qeverisë edhe pas operacionit të së dielës, duke pretenduar se bosët e vërtetë të krimit po lihen të lirë, LSI është rreshtuar krah ministrit Xhafaj.
E para ishte Monika Kryemadhi që doli hapur në mbështetje të tij. Të martën ajo vlerësoi hapur operacionin e policisë, ndryshe nga sa e kritikoi PD.
“Kemi dëgjuar për arrestimet e fundit që kanë ndodhur në Shqipëri që është një sinjal shumë i mirë për hir të së vërtetës, për shkak të sigurisë, është një sinjal shumë i mirë për të rinjtë, për t rejat, për popullin shqiptar, si një mundësi për të parë që diçka do të fillojë dhe do të shkojë në vend”, tha ajo në një takim në Vlorë.
Po ashtu një tjetër eksponent i LSI fakton aleancën Meta-Xhafaj-Kryemadhi. Ish-deputeti i LSI, Flamur Çelaj, i cili mban postin e kreut të Komisionit të Sigurisë në LSI shkruan: “Përfitoj nga rasti të shpreh përkrahjen time për Policinë e Shtetit të cilët i inkurajoj të vazhdojnë operacionet e tyre për çrrënjosjen e krimit në mbarë vendin. Për ministrin Xhafaj, pastërtinë morale të të cilit nuk e kam vënë kurrë në dyshim, i jap të njëjtin inkurajim, por me një këshillë: Mos lejo kryeministrin të interferojë në drejtimin politik të dikasterit që ti drejton, pasi ai do sabotojë punën tënde dhe do komprometojë imazhin tuaj në sy të shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Reagimi i tij nuk ka kaluar pa kritika. Shumë komentues e kanë akuzuar, por Çelaj ka nxjerrë akoma dhe më tej detaje, ku sipas tij ka një luftë Rama-Xhafaj.
“Mëso të kuptosh, KM ka dashur gjithë këto muaj ta heqi Xhafën nga MB, por nuk e kanë lejuar ndërkombëtarët”, ju përgjigj ai një komentuesi duke treguar se LSI informohet për Xhafajn.
Këto deklarata nga eksponentët e LSI-së vijnë në një kohë që ndërkombëtarët dhe vetë Rama kërkojnë me “këmbëngulje” arrestimin e “Escobarit të Ballkanit”, Klement Balili. Ndërkohë Policia vijon me operacionet “dështake”, jo për shkak të mos lokalizimit, por për shkak të mungesës së dëshirës për vënien në pranga të personit, i cili i shantazhon me video-orgjitë , në hotelin tashmë të sekuestruar “Santa-Quaranta”./korrieri