Policia e Shtetit dhe FNSH ka bërë bilancin e një jave në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe kapjen e personave në kërkim.
Polica bën me dije se në operacionet e zhvilluara gjatë javës së kaluar në të gjithë vendin janë sekuestruar arsenal armësh, lëndë narkotike si dhe janë shoqëruar për verifikim rreth 414 persona.
Njoftimi i policise:
Policia e Shtetit në të gjithë vendin vijon zbatimin e masave për “Rritjen e parametrave të sigurisë, për kontrollin e territorit, kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike e trafiqeve të paligjshme, parandalimin e aksidenteve rrugore”.
Në këtë kontekst, gjatë kësaj jave në të gjithë vendin janë zhvilluar kontrolle nga FNSH e Policitë Vendore, janë ngritur e kanë funksionuar pika kontrolli dhe të lëvizshme, ku është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i 211 personave, si dhe janë sekuestruar armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Nga Policia Rrugore në të gjithë vendin duke përdorur Dragerat dhe Radarët janë arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi 58 drejtues mjetesh.
Nga kontrollet e kryera nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë janë kapur 47 persona në kërkim kombëtar/ndërkombëtar.
Janë sekuestruar:
– 5 armë zjarri, 3 krehëra, 916 fishekë, 2 gëzhoja, 2 kallëpe lëndë plasëse TNT, 3 kapsolla elektrodetonatore, 1 granatë difensive
– 6 armë e ftohtë (3 thika, 3 leva metalike)
– 665 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa
Janë shoqëruar për verifikim 414 persona.
Po gjatë kësaj jave janë finalizuar 4 operacione të koduara:
– Më datë 11 Tetor në Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Precious“. Operacioni pas një hetimi disa mujor nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku u zbardhën dhe u dokumentuan me prova ligjore 7 raste vjedhjesh (kasafortash, vlerash të mëdha monetare e sende të çmuara) të ndodhura në banesa.Njëri prej autorëve i kapur në flagrancë duke kryer një vjedhje në qytetin e Durrësit, ndërsa autori tjetër shpallet në kërkim nga Policia.
– Po më datë 11 Tetor në Vlorë, Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Twin”, ku është arrestuar një person që posedonte lëndë narkotike në banesë.
– Më datë 12 Tetor përsëri në Tiranë – Operacion antidrogë i koduar “Argjinatura”, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas dhe një tjetër u shpall në kërkim. U sekuestrua lëndë narkotike, armë zjarri, municion luftarak, automjet dhe aparate celularë.
– Më datë 13 Tetor në Lezhë, u finalizua operacioni “Vila”, ku u kapën në flagrancë nga policia 2 autorët e dyshuar në momentin që po nxirrnin materialet për t’i transportuar që kishin vjedhur në një vilë. Këta shtetas dyshohen dhe si autorë të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke garantuar ruajtje të anonimatit, reagim në kohë dhe të panashëm./korrieri