Nga Kastriot Kotoni
Në këto ditë kur në qendër janë deputetët dhe parlamenti i Shqipërisë, ndoshta ia vlen të kthehemi pas në kohë dhe të shohim se si ka qenë parlamenti i shqiptarëve, gati një shekull më parë, çfarë diskutohej aty dhe si debatonin deputetët. Më poshtë është një dokument i 27 marsit 1920: “BISEDIMET E KËSHILLIT KOMBËTAR “SENAT” LEGJISLATURË E PARË- Çilja e parë “KËSHILLIT KOMBËTAR” më 27”III”920 ishin anëtarët e këtij parlamenti dhe Këshilli i Naltë. Në fjalën e parë të këtij parlamenti Shqipëria ishte e mirëpërcaktuar në politikën e saj properëndimore, aq kthjellët e me patriotizëm, sa dikush që ka ëndje ta lexojë atë hapje të punimeve e kupton largpamësinë politike të atyre burrave për të ardhmen e kombit shqiptar.
“Të ndershmit Këshilltar të Kombit, Zotnij! Në Kongres të Lushnjës qi u çel më 21 Kallnuer 1920, ishte vendos që Këshilli Kombtar të çelej më 15 të këtij muejit. Jemi shumë fatbardhë qi sot ndodhemi në të parit Parlamentit Kombëtar. Kurrë u çpallë vetqeverimi i Shqipnisë më 28 Nanduer 1912 në Vlonë ishte vendosë mbledhja e nji Senatit, por nuk u mblodh, më 25.X.1918: përsëri në mbledhjen e Durrsit ishte vendos mbledhja e një Senatit të fortë, por edhe ky nuk u mblodh. Prandaj jeta e Parlamentare e Shqipnisë, fillon me Zotninë tuej. Kombi Shqiptar, këtë rradhë e rrëfeu plotësisht që kishte arrirë në një shkallë përparimi e qytetërimi ma shumë të naltë nga ajo qi kujtojshin ata që nuk e njifshin mirë Shqipninën. Kongresi i Lushnjës me veprat e tija patriotike e çpalli se, ideali Kombëtar asht bashkimi e jo nji lojë për persona. Qëllimi Kombëtar, asht indipendenca e plotë dhe mprojtja e Atdheut.
Me fqinjt t’anë Jugosllavët e Grekët, kemi dëshirë të plotë me rrojtë në armoni miqsore. Kemi shpresë të madhe se, edhe fqinjt t’anë kanë me i njoft të drejtat t’ona etnike e jetike. Shpresojmë se Italia tue e marrë para syesh vullnetin e përbashkët të Kombit Shqiptar do të ndryshojë politikën që ka pasun deri tash mbi çashtjen Shqiptare dhe do të bëhet edhe ajo anëtarja e indipendencës dhe integritetit të plotë të Shqipnisë, dhe kështu së bashku dhe Ingliterra e Franca që janë rrëfyer gjithmonë mbrojtës për lirinë e popujve të vogël, kanë me qenë mirdashës për çashtjen t’onë Kombëtare.
Në këtë çast istorik e shohim si nji detyrë të nderit të kutojmë me falenderime të posaçme ndërmjetësinë njerëzore dhe drejtësore qi po ban i Nalti dhe I Shkëlqyeri Presidenti i Sh.B t’Amerikës Zoti Willson tue përfaqësuar kombin e math t’Amerikës, këjo mirësie nuk ashtë për t’u harrue kurrë nga ana Kombit Shqiptar, jemi fare të sigurtë qi kombi i naltë i Amerikës që ka shpallë parimet e njerëzimit e të Drejtësisës edhe të tanë kërkimet e drejta Kombtare t’ona do të jetë një ndihmës i fortë. Përpara gjith njerëzimit të qytetnuem, Shqipnia paraqitet në kët lutje: Drejtësi kërkojmë dhe e drejta do të na epet.” Ky parlament i viteve 1920 siç dihet u ndesh me poltikën dhe diplomacinë në mbrojtje të Shkodrës në Veri të Shqipërisë e të Gjirokastrës në Jug, po edhe në polemikë me Italinë për çështjen e Vlorës.
Ky parlament me fajlimet e shkëlqyera të Hil Mosit e Sejfi Vllamasit e Qazim Koculit u kërkoi llogari Ministrit të Jashtëm e Kryeministrit të kohës, se si përfaqësohej çështja shqiptare në Konferencën e Paqes. Moment prekës është fjalimi i Senatorit të Vlorës z. Spiro Koleka, i cili në fjalën e tij hyrëse shprehet tejet i hidhëruar që dy pjesë të Shqipërisë Kosova e Çamëria nuk përfaqësohen në kët Këshillën Kombëtare e dëshiron që ky hidhërim të shfaqet prej të gjithëve e të mbahet proces-verbal. Për një lutje të Osman Balit të cilën e kish shkruar në gjuhën turke parlamenti ja përcolli sekretarisë e cila duhet ta përkthente në gjuhën shqipe e më pas ta merrte në shqyrtim. Po në sa e sa fjalime u morën masa për gjendjen e rendit publik dhe drejtësisë të mbajtura nga ky parlament.
Shtroheshin probleme të tilla se nuk kishte shkolla e specialistë për xhandamëri apo drejtësia duhej të aplikonte ligje perëndimore e sa më parë të vinin specialistë nga Amerika edhe Evropa për organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo rendje për ta parë foltoren parlamentit si një organizëm ligjbërës është ku e ku sa vite larg nga termi që përdoret sot “ligjvënës”. Ti kërkoje llogari Ministrit të Financave nuk ishte kollaj e ky fenomen u zgjidh duke i dhënë status Këshillit Kombëtar e më pas morën rrugë taksat për bagëtinë në veri të vendit e taksa për kripën e gjithashtu taksat për alkoolin që vinte nga jashtë.
I takoi këtij parlamenti që të kërkonte llogari nëpërmjet fjalimit të Fazlli Frashërit për “Kastoldin”, të ashtuquajturin Komisioner të Lartë, i cili bënte një politikë antishqiptare në Shkodër, Durrës e Vlorë, pa marrë mandatin nga parlamenti shqiptar. Aq i rëndësishëm u bë ky parlament në themelet e shtetit shqiptar, sa autorizoi Qeverinë të negocionte për një borxh financiar me ndërmjetësinë e shqiptarëve të Amerikës. Fakti që ky parlament reagoi me një zë ndaj veprimeve propaganduese të një përfaqësuesi të lartë të xhonturqve me emrin Vebi, duke thirrur në interpelancë Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm, se a kishin dijeni ata për arrdhjen e këtij politikani dhe pse nuk e kishin ndaluar qysh kur shkeli këmba e tij në Shqipëri.
Në këtë parlament lexohen me emocion të lartë letrat e Z. Turtulli dhe Imzot Bumçi, të cilët kishin përfaqësuar çështjen shqiptare në parlamentin anglez me fakte e argumenta të vërteta e me dokumenta të pakontestueshme përkundrejt të gjitha shpifjeve të armiqve të çështjes shqiptare. Shkruhet në origjinal emri i AHMED BEJ ZOGU, por është fjalimi i tij shumë sinjifikativ. Zogu ndër të tjera merr fjalën, kur thotë se qeverija kurdoherë është e popullit edhe do të punojë mbas dëshirës së tij, sepse qeverija sot nuk ka një xhandarmëri të organizuar e të gjithë shpresën e vetë e ka në popull.
Krijimi i ministrive të Tregtisë dhe të Bujqësisë është një nga diskutimet më me vlerë të këtij parlamenti. Palët ndahen mes dy opinioneve për organizimin e ministrive të bujqësisë dhe asaj të tregtisë. Z. Arqemandriti e quan të parakohshme krijimin e këtyre ministrive, sepse nuk kemi buxhet dhe na duhen njerëz të shkolluar. Po ashtu edhe Ramiz Daci nuk e shikon të arsyeshme ngritjen e këtyre ministrive. Por Kol Thaçi, përfaqësues i Shkodrës dhe Sejfi Vllamasi janë të mendimit për krijimin e këtyre ministrive si baza ekonomike e Shqipërisë. Është detyrë parësore e duke marrë si model zhvillimin e bujqësisë në Greqi, e cila siç del nga diskutimet ishte organizuar nga specialistët e huaj me përvojë perëndimore. Këtij parlamenti i ra barra për tu marrë me refugjatët shqiptarë dhe popullsinë e krahinës së Dibrës të shpërngulur në Shqipërinë e Mesme.
Problemi i një shkolle shqiptare janë nga diskutimet më të vyera të Hil Mosit. E do të gjente një hapësirë kohore në këtë parlament me halle shumë edhe diskutimi për një vëmendje më të madhe për familjet e njërëzve të shquar të këtij kombi. Ja si shprehen ata në rastin e dhënies së pensionit për familjen e Ismail Qemalit. Z. Beqir Rusi thotë se: “Populli shqiptar nuk duhet të harrojë mirësitë që i ka bërë z. Ismail Qemali, bej Vlora, kombit i cili ka qenë i vetmi që u hodh ndër rreziqe për të realizuar qëllimin kombëtar me ngritjen e flamurit dhe shpalli Shqipërinë e Pavarur.
Duke i pas vlejtur kombit ky njeri kaq shumë sot është turp për këtë komb që fëmija i tij të mbetet rrugëve pa asnjë lloj ndihme. Qeverija thotë që i kemi caktue një pension prej 200 Lt në muaj e kjo ndihmë nuk shkoj shumë kohë edhe ju dhanë 2500 Lt. Me hidhërim të madh ju them se njëri nga djemtë e tij Z. Mahmud Bej ka vdekur në Itali dhe fëmijët e tij kanë mbetur rrugëve e si mundet të durohet kjo?
Ai pyet për fëmijët e dëshmorit Themistokli Gërmenjit, çfarë masash janë marrë nga ana e qeverisë për ushqimin e tyre, si këta thotë ka edhe shumë të tjerë që i duhet siguruar një jetesë normale. Z. Irfan Bej Ohri shprehet se qeverija duhet të krijojë një arkë pensioni për të mirën e fëmijëve të atyre nënpunësve dhe oficerëve dhe ushtarëve të cilët janë vrarë ndër luftra për shpëtimin e atdheut”. Interes të veçantë tregon parlamenti kur kryetari Xhemal Naipi hap bisedimet për çështjen e Avni Rustemit nëse duhet të dërgohet një letër lutjeje faljeje nga ana e parlamentit shqiptar në drejtim të parlamentit të Francës. Në përfundim të diskutimit u pa e udhës që kjo detyrë t’i caktohej qeverisë.