Loading...

Meta i trembur nga burgu, del hapur kundër SHBA-BE, kërkon rishikim total të ligjeve të reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese

Partnerët tanë kërkojnë përshpejtimin e pastrimit të drejtësisë dhe politikës nga “peshqit e mëdhenj”, përmes reformës në drejtësi dhe Vettingut, vlerësojnë se procesi ka shënuar sukses të dukshëm. Presidenti kërkon zhbërjen e ndryshimeve Kushtetuese dhe ligjeve të reformës, duke kërkuar të riformatohen nga e para, skenar për të shpëtuar nga prangat veten, bashkëshorten Monika dhe tërë kupolën e korruptuar politike

“Laku” për “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri sa vjen dhe po ngushtohet, në progresion të fortë me reagimin e tyre për të shpëtuar.

Duke qënë se politika e SHBA dhe BE ndaj Shqipërisë dhe qëndrimi i fortë për luftë ndaj krimit e korrupsionit nuk ka ndryshuar as me ardhjen e zv.ambasadores së SHBA Leyla Moses-Ones dhe ambasadorit të ri të BE Luigi Soreca, politika e inkriminuar është vënë në lëvizje.

Një natë më parë ka qënë Presidenti Ilir Meta ai që ka reaguar fort kundër reformës në drejtësi, duke kërkuar zhbërjen e saj.

Ish kreu i LSI, i frikësuar nga burgu për shkak të dosjeve të rënda që ka në ngarkim, është shprehur se kjo reformë nuk është efikase dhe ka bllokuar të gjitha institucionet e drejtësisë.

Madje ka qënë konkret, teksa ka nënvizuar se ka disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, të zbatimit të saj dhe krijimit të institucioneve të reja, ku mungesa e çdo institucioni në parashikim me ndryshimet kushtetuese, është problematike.

Më problematik sipas tij është fakti që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Dhe për Metën, një vend që s’ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.

Një deklaratë vërtetë skandaloze e Ilir Metës, duke pasur parasysh se ai si President i Republikës firmos dekrete në emër të Kushtetutës, kthen apo kalon ligje në emër të Kushtetutës, duke e ditur siç e pranon dhe vetë, se vendi është pa aktin themeltar të shtetit.

Por është pikërisht Meta ai që ka bllokuar një prej institucioneve më të lartë të drejtësisë, Kushtetuesen, duke mos pranuar kërkesën e kreut të Kuvendit për të plotësuar vendet vakante në Komisionin e Emërimeve në Drejtësi. I cili siç e pranon dhe vetë Meta, nuk është funksional.

“Për të dalë nga një situatë që shpeshherë duket si një ekstraligjore, mendoj që një dialog ezaurues i harmonizimit të ndryshimeve kushtetuese me legjislacionin përkatës dhe me situatën konkrete, është i domosdoshëm për të shuar çdo paragjykim dhe për të hedhur hapa të shpejtë në krijimin e këtyre institucioneve dhe funksionimin e tyre”, tha Meta.

Kreu i shtetit e ka hedhur larg e larg në intervistën e tij, idenë e ndërhyrjes totale në Kushtetutë për të zhbërë të gjitha ligjet dhe nenet e reformës në drejtësi.

Duke justifikuar ndërhyrjen në Kushtetutë dhe në ligjet për reformën në drejtësi, Meta tregon arësyen që sipas tij bëhet. Këto riformatime për Presidentin bëhen “në mënyrë që të rishikonim gjithçka, që nga praktika rezulton e vështirë apo e pamundur, në mënyrë që ne të krijonim një mjedis të pakontestueshëm nga ana ligjore dhe kushtetuese për krijimin e këtyre institucioneve”.

Në këtë mënyrë Presidenti Ilir Meta del hapur kundër reformës në drejtësi dhe ligjeve të kësaj reforme, kundër Vettingut në drejtësi, duke kërkuar rikthimin e këtij procesi në pikën zero.

Ky është një skenar i Metës, i mbështetur dhe nga opozita, që të shkatërrojë procesin e reformës në drejtësi, ta zvarrisë sa më shumë, të mërzisë të gjithë ‘partizanët’ e kësaj reforme, duke filluar nga SHBA dhe BE, dhe të fitojë kohë në përpjekje për të evituar qelinë.

Dhe një kërkesë të tillë për rifillimin e reformës në drejtësi nga e para, Meta e bën në kushtet kur partnerët tanë ndërkombëtarë janë shprehur se, ndonëse me ritme të ngadalta, reforma në drejtësi është një proces që ka dhënë rezultate mbresëlënëse.

Ndërsa SHBA dhe BE kërkojnë përshpejtimin e këtij procesi të rëndësishëm të pastrimit të drejtësisë dhe politikës nga “peshqit e mëdhenj”, Presidenti del hapur kundër ndryshimeve Kushtetuese dhe ligjeve të reformës, duke kërkuar bërjen nga e para.

Një skenar ky për të shpëtuar veten, bashkëshorten Monika dhe tërë kupolën e korruptuar politike, nga burgu./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com