Loading...

“Ju thashë mos…” çfarë rrëfeu në dëshminë e tij pronari i lokalit të Bllokut

Redi Popescu, pronari i lokalit Monopol, ku ndodhi ngjarja e Bllokut më 4 Tetor, është arrestuar ditën e djeshme. Popescu akuzohet për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, bënë me dije burime zyrtare nga Policia e Tiranës.

Dyshohet se ai ka prishur provat duke fshehur armën e Ervis Martinaj dhe ka penguar hetimin në zbardhjen e të vërtetës duke dhënë dëshmi të rreme.

Pronari i lokalit në ish-Bllok, ku ndodhi përplasja me armë me një të vdekur e dy të plagosur të enjten mbrëma, ka shpjeguar në Polici rrethanat e ngjarjes si dhe bisedat që kanë zhvilluar klientët e tij, Ervin Mata dhe Ervis Martinaj.

Redi Popesku ka sqaruar se fillimisht në lokalin e tij kanë shkuar Ervin Mata, i dashuri i këngëtares Elvana Gjata, i shoqëruar nga oficeri i Zall-Herrit, që ai e identifikon me emrin Joli dhe tre persona të tjerë. Pasi kanë qëndruar për pak kohë, Mata dhe oficeri, shtetasi Mevjol Billo, kanë zbritur për të takuar Elvana Gjatën dhe pasi janë ndarë me të janë kthyer sërish në lokal. Pas kthimit në lokal, Popesku thotë se i ka parë këta dy persona disi të revoltuar.

Rreth 20 minuta pasi ata ishin kthyer në lokal, Popesku thotë se ka dalë për të takuar një të njohurin e tij, që ishte Ervis Martinaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Martinaj i ka thënë se do të hynte të takonte Ervin Matën dhe është futur bashkë me personat që e shoqëronin, duke e takuar miqësisht.

Të katërt janë ulur bashkë dhe në këtë kohë Poposku thotë se është futur për të marrë një shishe çivas. Në këtë kohë, personat që shoqëronin Martinajn i janë drejtuar oficerit Mevjol Billo, duke i thënë: “Pse më shikon…” Në këtë kohë ai thotë se ka parë dy persona që janë futur brenda dhe kanë nisur të godasin me grushte komandon Billo. Në këtë moment Martinaj i ka thënë: “Mos, mos, mos…”, ndërsa Ervin Mata po thoshte “Ça po boni, ça është kjo punë”. Njëri nga këta persona, që ai thotë se ishte me kapuç, ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar. Të tjera detaje Popesku s’ka mundur të shohë, pasi është futur pas banakut.

DESHMIA E PLOTE NE POLICI E REDI POPESKUT, PRONARIT TE LOKALIT TEK ISH-BLLOKU, KU NDODHI PERPLASJA ME ARME

Procesverbal me të dhëna përmbledhëse nga personi që ka dijeni për veprën penale, i mbajtur në Tiranë, më datë 05.10.2018, në orën 01:15, para oficerit të Policisë Gjyqësore, në Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda Ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, duke respektuar kërkesat dhe detyrimet ligjore të parashikuara nga nenet 303/2, germa c, 297, 155, 160 e vijues të K.Pr.Penale. Procesverbali mbahet për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale nga shtetasi Redi Popesku, 40 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, Master Of Art, me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i padënuar, profesioni administrator i kompanisë “Red Diamond”, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.

Pasi iu shpjeguan nenet 155 deri 160 të K.Pr.Penale, të cilat bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe iu kërkua që të tregojë gjithçka di për rrethanat e veprës penale dhe personin, të cilit i atribuohet vepra penale, si dhe pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme, apo fsheh fakte ose prova, në bazë të nenit 305/b të Kodit Penal dënohet me burgim deri në gjashtë muaj. Me vullnetin e tij të lirë, bën këtë deklaratë:

Kam gjeneralitetet e mësipërme dhe në lidhje me sa pyetem nga ana juaj, dua të shpjegoj se unë jam administrator i subjektit “Red Diamond” sh.p.k, me adresë, rruga “Ibrahim Rugova”, Tiranë, pallati 7/1, kati i dytë. Më datë 04.10.2018, rreth orës 18:00, kam qenë në ambientet e dyqanit tim. Pas rreth 10 minutash ka ardhur një klient i imi, i cili quhet Ervin Mata, që ka në pronësi hotel “Victoria” në Tiranë, me katër persona të tjerë, të cilët e shoqëronin, ku njëri prej tyre ishte Joli, që është oficer në Zall-Herr, tjetri quhet Qemal, ndërsa dy personat e tjerë nuk i njihja. Pasi erdhën brenda në dyqan kanë filluar të shohin në vitrina dhe janë ulur në tavolinë, ku kanë vazhduar duke diskutuar për problemet e tyre dhe unë i kam shërbyer verë dhe xhin. Më pas janë ngritur nga tavolina shtetasi Ervin Mata dhe Joli, oficeri i Zall-Herrit. Ervin Mata takoi të dashurën e tij Elvana Gjata dhe më pas u kthyen sërish të dy me Jolin brenda në dyqan dhe në këtë moment unë kam parë që ata ishin të revoltuar. Të dy këta persona u ulën sërish te vendet e tyre në tavolinë. Mbas rreth 20 minutash, unë kam dalë te shkallët dhe kam takuar një të njohurin tim, i cili quhet Vis Martini, që është klient i dyqanit tim. Në këtë moment, Vis Martini ishte me dy persona të tjerë, të cilët e shoqëronin këtë të fundit. Shtetasi Vis Martini më tha se do të hynte brenda në dyqan për të takuar Vin Matën.

Në këtë moment hyri në dyqan Vis Martini me dy personat që e shoqëronin dhe takoi normalisht shtetasin Ervin Mata. Në këtë kohë, Ervis Martini së bashku me dy personat që e shoqëronin dhe me Ervin Matën janë ulur veç të katërt në pjesën pranë derës së banjës, pra në fund të banakut. Në këtë kohë jam afruar unë duke hyrë te banaku dhe u kam thënë se çfarë donin t’i qerasja nga ana ime. Vis Martini më tha po pate na mbush një gotë çivas. Në këtë moment unë kam marrë katër gotat dhe sapo jam kthyer për të marrë shoshen e çivasit në raft, kam dëgjuar dy çunat që shoqëronin Vis Martinin duke i thënë Jolit, oficerit të Zall-Hettit, “pse më shikon”. Joli ishte te tavolina veç, ku u ulën në fillim. Në këtë moment kanë ardhur dy persona nga jashtë, njëri ishte me bluzë të errët, me kapuç, trup i gjatë, me xhinse, i cili bashkë me këtë personin që shoqëronte filluan të shanin dhe godisnin me grushte Jolin, oficerin e Zall-Herrit dhe personat që ishin me Jolin në tavolinë. Në këtë moment Vis Martini po thoshte “mos, mos, mos”, ndërsa Ervin Mata po thoshte “ça po boni, ça është kjo punë”. Në këtë moment kam parë personin me bluzë të errët, me kapuç, i cili kishte një armë zjarri si automatik. Ngaqë u krijua rrëmujë e madhe, unë kamdëgjuar një krismë që erdhi nga vendi ku ishte personi i gjatë me kapuç në kokë, që po konfliktohej me Jolin, por që nuk e pashë se kush qëlloi. Mbas kësaj krisme unë jam hedhur direkt poshtë banakut. Në këtë kohë kam dëgjuar krismat e armëve që vazhdonin. Kur krismat pushuan, afër banakut ka ardhur Vis Martini zvarrë, të cilin e pashë se ishte i plagosur në qafë dhe e kam marrë dhe e kam zbritur deri poshtë shkallëve, ku e kam drejtuar drejt taksive. Dua të shpjegoj se kur dola nga banaku të gjithë personat kishin ikur, përveçse personit që ishte i vrarë dhe një person tjetër afër derës që ishte duke u përpëlitur. Më pas unë kam vazhduar të rri në trotuar me shishe në dorë për t’i kthjelluar. Më pas unë kam lënë shishen në trotuar dhe jam kthjelluar. Në këtë moment kam parë dy motorë policie dhe u kam ngritur dorën, duke i njoftuar për atë që kishte ndodhur. Më pas kam hyrë brenda së bashku me forcat e Policisë.

Pyetje: A mund të na shpjegoni se çfarë karakteristikash kishin dy personat që shoqëronin shtetasin Ervis Martini?

Përgjigje: Njëri prej tyre ishte nën 30 vjeç, trup i dobët, rreth 170 cm, i veshur me të zeza. Ky person ishte personi i plagosur te dera kur unë po dilja me Vis Martinin për ta çuar te taksia. Ndërsa personi tjetër ishte rreth 30 vjeç, me trup normal, rreth 170 cm, i veshur me rroba më të çelura.

Pyetje: A mund të na thoni se çfarë mbante veshur shtetasi Ervin Mata, Joli oficeri i Zall-Herrit, Qemali dhe dy personat e tjerë?

Përgjigje: Ervin Mata mbante të veshur një bluze të zezë, xhinse të zeza. Shtetasi Joli, oficer i Zall-Herrit mbante veshur xhup të zi, bluze polo ngjyrë blu e errët dhe xhinse të errëta. Qemali ishte i veshur me të zeza, ndërsa dy personat e tjerë që ishin me Ervin Matën dhe Jolin nuk i kam fiksuar fare.

Pyetje: A mund të na përshkruani karakteristikat e dy personave që erdhën në momentin e fundit?

Përgjigje: Njëri prej tyre ishte i gjatë, nën 30 vjeç, me bluze me kapuç, i cili sapo hyri brenda u konfliktua me Jolin oficerin, duke u sharë me njëri-tjetrin, pastaj filluan të ziheshin me grushte dhe më pas ky person kishte në dorë një armë zjarri. Në këtë moment unë kam dëgjuar krismën, ku dhe jam shtrirë në pjesën e brendshme të banakut. Ndërsa personin e dytë që ishte pas personit me kapuç nuk e kam fiksuar.

Pyetje: A mund të na thoni se cili person qëlloi me armë personin që është gjendur i vdekur dhe personin e plagosur, në ambientet e dyqanit tuaj dhe cila palë ishte personi i vdekur dhe ai i plagosur?

Përgjigje: Unë siç e përmenda më lart jam ulur në banak, ndërsa për sa pyetem për personin që u gjend i vdekur dhe ai i plagosur ishte i palës së Ervis Martinit.

Pyetje: A mund të na thoni se çfarë konflikti kishin këta persona me njëri-tjetrin?

Përgjigje: Me sa kuptova unë, ky ka qenë një konflikt ordiner për t’u sqaruar në lidhje me ngacmimin e të dashurës së Ervin Matës, shtetases Elvana Gjata. Gjithashtu, dua të sqaroj momentin para se të vinte Ervis Martini, mua më tha Ervin Mata, nëse e kisha unë problem që të vinte te dyqani Vis Martini. Unë i thashë se s’kishte asnjë lloj problemi, pasi Vis Martinin e kisha të njohur. Dua të sqaroj se të dy këta persona, si Ervin Mata dhe Ervis Martini, janë takuar normalisht dhe nuk kishin asnjë shenjë për konflikt. Pra, janë takuar miqësisht dhe nuk kishin ndonjë tendencë për t’u agravuar situata siç ndodhi.

Pyetje: A keni dijeni se me çfarë mjeti ka ardhur Ervis Martini në dyqan?

Përgjigje: Po kur ka ardhur Ervisi, unë kam qenë jashtë lokalit tim dhe e pashë që zbriti nga një makinë “BMW” fuoristradë, me ngjyrë të errët, së bashku me dy çuna të tjerë. Makina “BMW”, sapo zbriti Visi me dy personat e tjerë, është larguar, nuk ka parkuar te vendi ku e lanë.

Pyetje: A keni dijeni për mënyrën e largimit të Ervis Martinit dhe personave të tjerë të plagosur nga lokali juaj?

Përgjigje: Pasi kanë mbaruar të shtënat në lokal, unë kam qenë i shtrirë poshtë banakut. Te vendi ku isha unë i shtrirë, ka ardhur Ervis Martini pranë meje dhe ai ishte i shtrirë dhe po më thoshte: “Më ço në spital”. Unë e pashë që po i dilte gjak nga qafa. Jemi ngritur të dy, Ervisi mbahej nga krahu im. E kam shoqëruar deri te fundi i shkallëve dhe i kam thënë që merr një taksi. Ervisi iku në drejtim të lokalit “KFC” dhe më pas nuk e pashë. Ndërkohë që po shoqëroja Visin për ta nxjerrë nga lokali, te dera kryesore e dyqanit ishte dhe një djalë i shtrirë i plagosur, i cili kishte ardhur me Ervisin. Këtë djalin, kur jam kthyer përsëri në lokal, nuk e kam parë dhe nuk e di se nga iku. Edhe personi që ngeli i vrarë në lokal, kishte ardhur me Ervisin, pra, ishte shok apo shoqërues i tij nuk di ta them. Gjë tjetër për të shtuar nuk kam dhe për sa më sipër deklaroj që janë fjalët e mia të vërteta, të cilat pasi i lexoj, i firmos pa vërejtje./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com