Një rrëfim i pazakontë, që mund ta kemi dëgjuar pas veshi por asnjëherë publikisht. Vjollca është një zonjë 51-vjeçare dhe ka treguar sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 historinë e jetës së saj. Martesa e parë nga e cila erdhën 2 fëmijë rezultoi të ishte e dështuar, bashkëshorti abuzonte me alkoolin dhe kishte xhelozi të tepruar ndaj saj.
Teksa ishte akoma në martesë ajo u njoh dhe u dashurua me një tjetër person, i cili ashtu si edhe ajo ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë.
Nga ky raport jashtë kurore erdhi në jetë një djali pas dy fëmijëve që kishte me bashkëshortin e saj.
I dashuri siç tregon ajo i premtoi se do i përgjigjej për gjithë jetën fëmijës së tij biologjik dhe asaj, por që të mos shkatërronte familjen i sugjeroi që djali të regjistrohej në emrin e burrit të saj.
Shumë shpejt historia u mor vesh, bashkëshorti kërkoi divorcin dhe tani jetojnë në të njëjtën banesë, por në ambiente të ndara.
Vjollca thotë se kohët e fundit babai i djalit nuk e takon as atë e as djalin. Ai që vuan më shumë është djali 10-vjeçar i cili po rritet në mungesë të babait. 51-vjeçarja kërkon që ai të mbajë premtimin dhe përgjegjësitë që i takojnë për rritjen e djalit biologjik.
“Nuk ka treguar kurrë dashuri për djalin. Djalit i kam thënë dhe jemi takuar disa herë. Unë dua që të kalojë djalin në emër të vet dhe të përgjigjet për djalin që të rritet i qetë dhe i lumtur. E kam lënë deri tani sepse më ka premtuar gjithmonë që do ta bëj më vonë”, tha gruaja.
Nga ana tjetër partneri i saj ka telefonuar në emision dhe ka deklaruar se nuk ka punë me të. “Ta gjejë ajo me cilin e ka djalin”, ka thënë i dashuri.
Gruaja e tronditur është betuar disa herë për deklaratën e saj ndërsa e frikësuar tha se i rrezikohet jeta duke kërkuar ndihmë. “Mua më rrezikohet jeta, sa të dal nga kjo studio. Sepse ai e ka bërë dhe herë tjetër, më ka ndjekur”, tha ajo.