Dy akuza që e kanë çuar pas hekurave. Arrestohet biznesmeni i njohur nga Vlora, Pëllumb Petritaj. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bënë me dije se arrestimi i tij erdhi në zbatim të një mase sigurimi personal ‘arrest me burg,’ kërkuar nga Prokuroria e Rrethit dhe miratuar nga Gjykata një ditë më parë.
Sipas hetimeve, dyshohet se Pëllumb Petritaj ka falsifikuar dokumentacionin e origjinës në lidhje me një sipërfaqe toke prej 100 Ha në zonën e Zvernecit. Ai akuzohet për dy vepra penale ‘Falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’.
“Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka bërë ndalimin e shtetasit: Pëllumb Petritaj, 54 vjeç, banues në Vlorë. Shërbimet e Policisë kanë bërë ndalimin e tij pasi ky shtetas dyshohet të jetë autorë i kryerjes së veprave penale ‘Falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 287/3 të Kodit Penal. Nga hetimet e kryera, dyshohet se Pëllumb Petritaj ka falsifikuar dokumentacionin e origjinës në lidhje me një sipërfaqe toke prej 100 Ha në zonën e Zvernecit. Për këto vepra penale, mbi bazën e Vendimit Penal nr.1777, datë 09.10.2018, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./korrieri