Intervista e Xhisiela Malokut, vajzës së përdhunuar nga djali i deputetit të PS-së, shton akoma më shumë pikëpyetjet mbi vërtetësinë e saj. Një enigmë më vete mbetet çështja e taksisë që e çoi në Durrës, aty ku ajo dha intervistën për Eni Vasilin.
Kjo e fundit e pyeti Xhisielën se me çfarë kishte udhëtuar nga fshati i saj drejt Durrësit. Me taksi iu përgjigj, 25-vjeçarja. Duke këmbëngulur më tej gazetarja Eni Vasili e pyet se kush e pagoi taksinë, nisur nga fakti se vajza është e papunë.
Xhisiela i thotë se ishte ajo vetë që e pagoi, duke shtuar se familja saj ka të ardhura mesatare nga puna e nënës dhe ndihma e të afërmve në emigracion. Ndërkohë në studio, gazetarja tjetër, Anila Hoxha, e cila ishte në Durrës me Eni Vasilin, zgjodhi të fliste troç, duke treguar se në fakt Xhisiela nuk kishte mbërritur me taksi në takim, por e sollën dhe e morën persona të tjerë.
“Xhisiela jeton në Nikël të Krujës. Një fshat që edhe policia u mburr kur hyri me forca të shumta në një operacion të madh. Le ta themi kush e shoqëronte Xhisielën kur erdhi të bënte intervistën. Ne e pyetëm se me çfarë kishte ardhur dhe ajo tha: “Me taksi”, por ajo gënjeu sepse ne e pamë kush e solli me makinë. E pamë edhe kush e shoqëronte. Ajo tha se erdhi me taksi dhe gënjeu. Nuk e dimë kush ishin ata persona, por duhet ta themi që ajo gënjeu. Ajo gënjen sepse nuk mund të gabojë një ekspert mjeko-ligjor për plagët që ka në trup” – tha gazetarja duke dëshmuar në këtë mënyrë atë që tashmë askush nuk e dyshon më. Xhisiela Maloku u shfaq në televizion e detyruar të mohojë gjithçka, të fajësojë veten dhe mbrojë dhunuesin e saj, djalin e deputetit Rrahman Rraja.