Të gjitha bandat nga jugu në veri po dalin një bandë, në rrjetën e së cilës kanë rënë ministra, deputetë, ish-deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë. Nuk merret vesh ende nëse bandat kontrollojnë qeverinë apo qeveria kontrollon bandat. Në rrethet politike flitet se në përgjimet e bandës së Shijakut fshihet një peshk i madh, i lidhur ngushtë me Edi Ramën.
Bëhet fjalë për Vangjush Dakon, kryetarin e Bashkisë së Durrësit. Burime thonë se pjesa e përgjimeve, ku flitet për Dakon, po mbahet e fshehtë, në përpjekje për të shpëtuar peshkun e madh të Durrësit, i cili deri më tani i ka shpëtuar drejtësisë, pavarësisht lidhjeve të forta me krimin dhe qindra aferave korruptive me tendera dhe leje ndërtimi.
Madje, disa burime thonë se arrestimet janë përshpejtur për të ndalur implikimin e mëtejshëm të Vangjush Dakos. Siç dihet, Bashkia e Durrësit është fituar nga bandat, kontrollohet nga bandat dhe punon nga bandat.
Për implikimin e peshkut të madh ka nisur të flasë edhe opozita, e cila ka ende burime në Prokurori, për shkak të prokurorëve të saj që po merren me dosjen e bandës.
Lulzim Basha, gjatë një deklarate, u shpreh: “Pra, peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako, të tjerët janë peshq të vegjël të cilët po serviren si pjesë e përpjekjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës, për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosje Vangjush Dakon dhe për të shkatërruar provat, hetimet, të cilat çojnë dhe duhet të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos”.
Edi Rama po punon në dy linja. Së pari, Rama po përpiqet që implikimi i Dakos si ushtar i krimit, të mos dalë në skenë. Por, Rama po punon edhe për skenarin e justifikimit nëse Dako do të zbulohet. Rama po përgatit alibinë e mbrojtjes, ashtu siç bëri me të gjithë banditët që ja rrëzuan një nga një amerikanët me ligjin e dekriminalizimit./Pamfleti