Loading...

Elegji për anijen ‘’JONI’’ (Në kujtim të 13 peshkatarëve , që iu shua ylli i jetës në ujërat e detit Jon)

ELEGJI PËR ANIJEN ‘’JONI’’ (NË KUJTIM TË TREMBËDHJETË PESHKATARËVE,QË IU SHUA YLLI I JETËS NË UJËRAT E DETIT JON, ) Si sot 25 vite më parë, ishte viti 1993 , ku ëndërra e këtyre të rinjve Vlonjat u pre në mes, Anija Joni ngeli në Sazan bashkë me shumë trupa peshkatarësh që nuk u gjendën nga familjarët edhe sot e kësaj dite. Nga të dhënat u gjetën vetëm disa në ujrat e Semanit.

Atje mbi valët e Jonit ligjëron vjeshta me ligje

pulëbardhat përlotur vajtojnë nëpër brigje.

Në horizont shfaqet imazhi i anijes’’Joni’’ mbi det

përkundet nën mjegull mbuluar me mister.

E panë nënëzezat dhe u ngritën nga varret

e panë gratë e mjera,ngritën kryet si malet

ulërijnë brigjet, çahen zemrat e grave vejane

Trembëdhjetë peshkatarët ,vajtojnë me vaje

Dhe valët psherëtijnë ,rrëzojnë lotë në breg

tej në horizont shkreptin një dritë e beftë

në krahët e mjegullës rrinë varur qindra ëndrra

në breg zbritën shpirtrat,që t’u këndohet kënga

Vetëm e të harruar,siç ishin në mes detit të pa anë

tri ditë e tri netë, vallen e vdekjes hodhën mbi valë

Dhe yjet vështronin heshtur,si iu dilte burrave xhani

si dridhej puthja e vashës,në buzën e njëzet vjeçarit

Heshtja dhe errësira derdhën tinguj zije përreth

gjethe drite rrëzoi hëna mbi trupat e zbehtë

mbi mjekrrat ,që dridheshin ,si gjethja në vjeshtë

mbi brigjet e nëmura ku deti flaku trupat pa jetë

Varr është bërë dhimbja në kraharorin e nënave

rrebeshe e shqota lëshojnë venat e zemrave

mbi detin e thellë, që s’ngopet duke përpirë jetë

mbi udhët e fatit ku njeriu kryqëzohet nga rrufetë.

©copyright reserved Mimoza Çobo.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com