Loading...

“Edhe pa çantën time, shkojnë në burg shumë politikanë”, Spartak Braho: Ju tregoj dosjet sekrete, skenarët e Berishës dhe…

Publikohet edhe pjesa e dytë e intevistës me deputetin dhe politikanin Spartak Braho, ku duket se kanë dalë disa prej sekreteve nga çanta e tij zezë. Pavarësisht se e konsideron të hiperbolizuar historinë e çantës, nuk e fsheh faktin se brenda saj ruhen çështje të nxehta. Madje ai premton të na japë së shpejti edhe një sërë dokumentesh deri tani të panjohura për vitin 1997.

Por ai këmbëngul se pa u bërë reforma në drejtësi, pritshmëritë janë të zbehta. Braho është skandalizuar me veprimet dhe logjikën e Salianjit të PD-së ndaj dhe thotë se Prokuroria qe sot atë duhej ta kishte marrë për zverku brenda si regjisor dhe organizator i skenarit shpifës. Pse Spartak Braho është skeptik ndaj politikës dhe pse e quan të turpshëm aktin e qeverisë Rama për sjelljen e eshtrave të Mit’hat Frashërit. Opinioni i deputetit për ish-kampin e Tepelenës që do të kthehet në “Aushvicin shqiptar” dhe pse e ka prekur një akt i Bashkisë së Vlorës.
– I nderuar Spartak, çfarë “fshihet” realisht në çantën tuaj? Ma kanë thënë këtë lexues të shumtë të gazetës DITA pasi lexuan bashkëbisedimin tonë të djeshëm… Pra le të kthehemi edhe një herë te çanta juaj dhe ato që “fshihen” apo ruhen brenda saj… – Ju e kishit hiperbolizuar shumë atë punën e çantës në gazetë. Edhe mua më kanë telefonuar shumë njerëz sot. E meqë ju këmbëngulni në këtë pikë le të sqarohemi: Çanta është një simbol, është kujtesë, një memorie historike, është metaforë.

Ky simbol dhe kjo memorie mbart kuptimin e një shoqërie që ende vuan nga krimi e korrupsioni ende të pandëshkuar. Por memoria historike nuk na lejon të gabojmë. Ajo na kujton se krimet duhen ndëshkuar dhe duhet të marrë fund njëherë e mirë mendësia e pandëshkueshmërisë. Për shembull ne dje folëm për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998. Unë isha në krye të një komisioni parlamentar dhe treguam me gisht përgjegjësit e asaj gjëme që ndodhi. Por çfarë u bë më tej? Kanë kaluar 20 vjet. Cili u ndëshkua? Asnjë. Kjo është e pafalshme…

– E pra, çfarë fshihet ndonjë gjë me interes për lexuesit tanë, natyrisht nga ato që nuk përbëjnë “sekret” dhe që nuk ndikon në reputacionin tuaj? – Meqë e filluam dje me dosjen e grushtit të shtetit të shtatorit të vitit 1998, do t’ju tregoj se shpejti dosjen hetimore për ngjarjet e vitit 1997. Në krye të komisionit parlamentar në atë kohë ishte Spartak Ngjela dhe unë. Do t’jua jap… – Edhe unë si metaforë e përdora çantën tënde dje, pasi në një farë mënyre ajo çantë është bërë legjendë. E pra, a do të kemi së afërmi ndonjë “hata” të madhe në politikën shqiptare për shkak të çantës suaj? – Jo vetëm prej “çantës” sime, po për shumë çanta të tjera dosje të tjera. Ka kaq shumë çanta dhe dosje të paeksploruara në këtë vend. Por ne nuk kemi drejtësi ende në këtë vend. Nuk kemi prokurori të hetojë dhe gjyqtarë që të ndëshkojnë fajtorët. Nuk jam vetëm unë që mund ta bëj këtë. Shiko, Xhevdet, unë kam rreth 30 vjet në politikë. Kam parë e dëgjuar shumë, ndërsa kam qenë edhe avokat në shumë çështje për emra të njohur të politikës. Për ato ngjarje që folëm dje ku mund t’i mbaja dokumentet dhe dëshmitë e kohës përveçse në çantë. Sot ka ecur shumë teknologjia. Me një USB mund të mbash brenda një bibliotekë të tërë. Ka mjete regjistrimi dhe përgjimi shumë të sofistikuara. Megjithatë, po të kemi një drejtësi të ndershme mund të ndodhin çudira. Drejtësia është një nga shtyllat kryesore të shtetit, të një Republike të re që duhet të ngrihet…

– Besoj se nuk e kini fjalën për Republikën e re të Lulzim Bashës që e shpalli vitin e kaluar te çadra? – Jo mor jo. Nga andej, domethënë nga opozita, unë nuk pres asgjë. E kam fjalën për ndërtimin e një shteti modern, ashtu sikurse synohet nga qeveria aktuale. Varet nga vendosmëria… Shiko, ne rrimë e kujtojmë ngjarje të së shkuarës. Mirëpo ne kemi kujtesë të shkurtër. Më 1997 në këtë vend u bë një hata e paparë, u shkatërrua shteti në të gjithë elementët e tij. Pasojat e atij viti të zi ne po i vuajmë edhe sot e kësaj dite. Mirëpo ngrehina e shtetit nuk ngrihet dot as në një ditë e as në disa vite. Edi Rama i vetëm nuk mund ta bëjë dot shtetin. Duhet të punojnë të gjithë. – Ju jeni i kënaqur nga Edi Rama dhe qeveria e tij? – Është e vërtetë që Rama si kryeministër punon shumë. Ka vizion, ka pasur kyçin dhe staturën e një drejtuesi shtetëror. Do rregull, do ligjin por jo të gjitha gjërat që bën më pëlqejnë. Ka edhe gjëra që nuk i miratoj ose jam hapur kundër. Për shembull, nuk e di sa e vërtetë është ajo që përflitet se për eshtrat e Mit’hat Frashërit dhe do të ngrihet nga shteti një memorial për të…

– Është e vërtetë, së shpejti… – Nuk e kam besuar dhe kam thënë se po bëjnë shaka këta që flasin për një marrëzi të tillë. E këtë unë e quaj një turp. Kjo është skandaloze. Jam krejtësisht kundër. Unë jam familje dëshmorësh dhe kam dy dajallarë që m’i ka vrarë Mit’hat Frashëri, domethënë ballistët e tij. Ç’i duhet Ramës ky gjest? A e di Rama se cili ka qenë Mit’hati dhe se si ka punuar kundër Shqipërisë pasi u arratis në vitin 1944? E Mit’hatin nuk e vrau Sigurimi i Shtetit, sikurse pretendon ndonjë edhe sot e kësaj dite. Atë e eliminuan të vetët, mbase dhe eprorët e tij. Nejse. Kjo është çështje tjetër. Fjalën e kam se kjo qeveri duke nderuar Mit’hatin padashje apo me qëllim ngrihet kundër Luftës Antifashiste, fyen dhe poshtëron veteranët e asaj lufte, dëshmorët që derdhën gjakun për liri.

– Po aktin për ta kthyer ish-kampin e Tepelenës në “Aushvicin shqiptar” a e quani normal? – Aspak. Regjimi i Enver Hoxhës e ka mbyllur ciklin e tij, ai regjim ra për paaftësinë e tmerrshme që shfaqi sidomos në dhjetëvjetshin e fundit të tij kur e çoi vendin në një mjerim të paparë. Ndaj dhe kur dëgjoj se ka ngjallje të nostalgjisë për Enverin, e justifikoj me paaftësinë e politikanëve dhe qeverive të pas vitit 1990. Edhe këto përpjekje për muzera të terrorit komunist jo vetëm më duken të tepruara, por edhe absurde. Populli kërkon mirëqenie, kërkon stabilitet, kërkon shpresë për të ardhmen. A jemi në gjendje ta bëjmë këtë? Ky është kyçi. “Aushvici shqiptar” i Tepelenës është një paradoks dhe ia ul reputacionin dhe besueshmërinë kësaj qeverie. Ky paradoks u kthye në komedi kur doli se denoncuesi i Tërmet Peçit, pra Tritan Shehu, kishte qeni përkëdheluri i Enverit, një aktivist i flaktë rinie që kishte shembur kisha dhe xhamia dhe kishte privilegjin të takohej e të dilte në fotografi me Enverin dhe Ramizin, një privilegj që e kishin shumë pak njerëz në atë kohë. Atë privilegj nuk e ka pasur as Sali Berisha.

Mirëpo sot më gëzoi shumë gjesti i shkëlqyer i Bashkisë së Vlorës për ngritjen e memorialit për viktimat e nazizmit. Është një akt që duhet të shërbejë si shembull si përqeverinë qendrore, ashtu dhe për bashkitë e tjera. Më ka prekur ky gjest i vlonjateve që na shkund të gjithëve dhe na bën të kujtojmë vlerat dhe jo antivlerat. – I nderuar Spartak, gjatë bisedave që kemi bërë së bashku, ju shpreheni skeptik për politikën dhe drejtësinë e sotme. Pse ky skepticizëm? -Për politikën po, jo për drejtësinë. Unë besoj te reforma në drejtësi dhe mendoj se ajo do të bëhet, duam apo nuk duam ne. Unë jam i pakënaqur me ritmet, me shpejtësinë që po ecën. Këtë mendim ia kam shprehur edhe ambasadorit amerikan, zotit Donald Lu. Unë kam besim te ndërkombëtarët dhe sidomos tek amerikanët për këtë reformë. Kurse për politikën… A e pe Salianjin e PD-së dje në TV? Po të kishte Prokurori në këtë vend ai sot duhej të ishte marrë i pandehur. Ka kaq muaj që mashtron një opinion të tërë dhe ai lihet i lirë. Del edhe në TV dhe i hedh hi syve një populli të tërë. Pra, le të fillohet me ngjarjet më të freskëta, me ata që po krijojnë plagë të reja në këtë vend. Pastaj le të merremi edhe me ngjarjet e së shkuarës…

– Një lexues më pyeti sot: Mos e ka rënduar pak si shumë dorën Spartaku me Berishën, pra e ka ngarkuar me më shumë përgjegjësi nga ç’i takojnë? Pra thelbi i shqetësimit ishte: Pse të fajësohet vetëm ai? – Unë nuk e kam rënduar dorën aspak me Berishën. Tek ai emër fillon dhe mbaron krimi në këtë vend, tek ai fillon dhe mbaron pandëshkueshmëria. Ai është përgjegjësi për gjithçka të mbrapshtë në këtë vend. Ai është ideatori i gjithë skenarëve më të zinj kundër këtij vendi dhe këtij populli. Basha, Salianji, Alibeaj e të tjerë në atë parti janë të gjithë lolo të Berishës. Ata i frymëzon dhe i trimëron ai. Pa u ndëshkuar ai njeri, keq e më keq do të shkojnë punët jo vetëm në atë parti, por edhe për të gjithë shqiptarët. Megjithatë, Berisha i pandëshkuar, nga këto që them unë vetëm guduliset. Prandaj i thuaj atij mikut që të ka marrë në telefon dhe të tjerëve që mund të kenë atë mendim se unë nuk e kam rënduar aspak dorën me Berishën.

– Besoni ju se do të hapen ndonjëherë dosjet e Gërdecit, të 21 janarit etj., për të cilat flitet aq shumë dhe qëpopulli mendoj se është shumë i interesuar? – E pra, le të fillojmë me Salianjin e të tjerët që shpikën Babalen. Jam i sigurt se me një drejtësi të reformuar do të hapen edhe mjaft çështje të tjera që deri më sot janë lënë të paprekura ose konsideruar tabu, pasi drejtësia ishte e kapur. Në këtë kuadër mund dhe duhet të hapen edhe dosjet e tjera si ajo për vitin 1997, për grushtin e shtetit në 1998, për Gërdecin e 21 janarin. Por edhe për shumë çështje të tjera të mënjanuara e të harruara. – Sa e vërtetë është ajo shprehja se po hapët çantën, gjysma e politikanëve duhet të shkojnë në burg? – Është metaforë që ka një bërthamë të vërtete brenda saj. Por ta thashë, Prokuroria edhe pa çantën time po veproi mund të çojë në burg shumë politikanë. Prandaj dhe unë këmbëngul te bërja e reformës në drejtësi. Arsyeja që ajo pengohet këtë synim ka: mosndëshkimin e të inkriminuarve në politikë, etj. Dhe këtë pengesë e bën politika. Prandaj dhe..

Ju e njihni skenën e politikës sonë. Sa optimist jeni për të ardhmen? – Më pëlqen të jem optimist. Do të isha më shumë optimist po të kishim një opozitë më serioze që të mendonte e punonte për të mirën e vendit dhe të ardhmen. Mirëpo me këtë opozitë që kemi, Edi Rama mund të gabojë më lehtë. Kjo situatë ma zbeh disi optimizmin…– Ju falënderoj Spartak dhe mos harro të takohemi nesër për të vazhduar intervistën. E kam fjalën për atë dosjen hetimore të 97-s… – Me kënaqësi! Mirupafshim!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com