Loading...

E di pse nuk është bërë akoma Shqipëria !?

(- Kjo botë u shthurr, ; – O prapësi, o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq !)

E di pse nuk është bërë akoma Shqipëria !?, ;

– Jo ngaqë u shkëput me shumë vonesë nga Turqia, tamam sikur t’i kishin shijuar shekujt e gjatë të dhunës e përdhunës, ashtu si një grua që e torturuar gjithë jetën nga burri me të cilin e kishin martuar pa e pyetur, kur i thua duke i puthur sytë, – Po lere mutin dhe jeto dy ditë rehat në këtë jetë … – të përgjigjet duke të kthyer puthjen e syve : – S’ka gjë, u mësova tani…, ;
– As ngaqë e zhvati kush mundi kur u ndanë kufijtë, ashtu si femrën e bukur të fshatit duan ta shkërdhejnë të gjithë e pastaj ta vrasin, në mënyrë që mos ta kenë më përpara syve ditën për tu prishur gjumin natën, ;
– As ngaqë kur Lufta mbaroi mori rrugën e gabuar, ashtu si një që i mbetur jetim në vogëli dhe pastaj i keqtrajtuar nga të afërmit e pashpirt që duan t’i marrin pasurinë, i largohet fshatit të tij me shpresën e gabuar se në dhe të huaj do gjejë njerëz që e duan, ;
– As ngaqë klasa politike në këtë vend është gjithmonë me probleme, sikur konkurset këtu të bëhen për të zgjedhur jo më të mirin, por më të ligun, ;
– As ngaqë nuk janë dënuar ende krimet e komunizmit, që besoj se ndodh ngaqë këtu kanë humbur burrat që dinë të bëjnë drejtësi, ;
– As ngaqë ende nuk janë hapur dosjet, që mendoj se ndodh ngaqë kemi qenë aq të molepsur saqë nuk guxojmë ta marrim vesh të vërtetën, ;
– As ngaqë opozita është e lodhur dhe nuk ka qejf ta lëvizë hiç bythën, ashtu siç një i sëmurë terminal refuzon ta pijë një gotë verë ngaqë mendon – E për ça ta pi, unë e di që do vdes, – a thua se ne të tjerët që e pijmë me qejf atë gotë, nuk e dimë që një ditë do ikim qoftë edhe nga një mungesë pa arsye e rrahjes së zemrës, ;
– As ngaqë shqiptarët nuk dinë të protestojnë, si njerëz qejflinj që janë, ;
– Dhe as ngaqë Enveri përton të ngrihet nga varri, meqë ka gjetur rehat në tokën që e deshi aq shumë saqë edhe pushimet ngeli duke i bërë gjithë jetën si koqe vetëm në Vlorë e Pogradec, ;

– Por ngaqë është hera e dytë që vij të laj makinën tek e njëjta lavazho dhe për herë të dytë punëtori aty më thotë të njëjtën fjali, dmth, : – Ore po shumë pis e bën këtë makinën ti ! , ; – dhe kur ulem të pi një kafe tek klubi afër lavazhos dëgjoj kamerierin që duke i shkëputur sytë me bezdi nga ekrani ku po shikon një ndeshje i kthehet atij që i ka kërkuar – Edhe nje dopio xhaxhit mor bir !, – me fjalët – Ore po shumë raki pike edhe ti !, ; – dhe kur ul sytë të lexoj ndonjë gjë këtu, gjej një lajm që thotë se filan drejtor u shkarkua ngaqë u gjet duke i rënë me dorë në zyrë, që do të thotë se Shqipërisë i ka emigruar jo vetëm truri, por edhe krahët që dinë të punojnë siç duhet./Edmond Bejtaj

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com