Dukat – parajsa mbi Tokë
Dukat – parajsa mbi Tokë
ku Duka u ul të shplodhet,
në gji të Pashalimanit,
ti legjendë natyrore.
Rrëzë Paliskes e Qorres
shtrihesh gjithë nur e lezet,
kështjellë e pathyeshme,
natyra të krijoi vet.
Bukuritë janë të pashterrshme,
historia e lavdishme,
me djem trima e vasha burrnesha,
legjendë emri yt në hartë.
Mjalt kullojnë krojet e tua,
male e fusha lulëzojnë,
ajër i pastër veç freski,
ku shpirti gjen qetësi.
Dielli si gjerdan floriri
të shkëlqen përmbi krye,
aromë shtogu e sherebeli
shpërndan juga ngado fryn.
Mrekullitë e krejt botës,
Zoti të ka bërë dhuratë,
nder, besë edhe mikpritje,
vlera që kullojnë ar.
Dukat – parajsa mbi Tokë,
prej nga kam origjinën,
aty prehet Ati im,
gjysh, stërgjysh e farë e fis.
Vijë tek ti gjithë nostalgji
për ditët e fëmijërisë,
veç aty gjej qetësi,
mrekulli prej Perëndisë!
Marinela Velaj